Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Muhaxhiri: Oferta e sotme e Kurtit ka qenë ofenduese për LDK-në

Artan Muhaxhiri

Analisti politik Artan Muhaxhiri e ka quajtur ofertën e kryeministrit Albin Kurti të bërë për LDK-në në këmbim të presidentit, si ofenduese. 

Kurti të hënën pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se u refuzuan ofertat që kishte bërë. Ai tha se LDK-së i kishte ofruar bashkëqeverisje, përfshirë këtu postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri tjera. Ai tha se kishte propozuar që Abdixhiku të bëhej zëvendëskryeministër. Po ashtu tha se ka ofruar pozitën e kryetarit të Kuvendit për LDK-në në këmbim të pozitës së nënkryetarit dhe që deputetët e LDK-së të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Oferta e sotme ka qenë ofenduese. Besoj sepse për një post kaq të madh siç është posti i presidentit, t’ia ofrosh dikujt të bëhet zëvendës i yti, t’ia ofrosh Ministrinë e Punëve të Jashtme që hipotetikisht do të ishte në një lloj sendviqi mes Kurtit e Konjufcës. Paramendoni sa i parëndësishëm do të ishte një ministër i Punëve të Jashtme nëse e ka Kurtin dhe Konjufcën aty për politikë të jashtme. Në anën tjetër tri ministritë, nuk e kuptuam se cilat ishin ato”, tha Muhaxhiri në “Konfront” të KTV-së.


 


Koci: LDK-ja pret rritje me bashkimin me Osmanin

Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës pret rritje në zgjedhjet e ardhshme andaj edhe gjasat për arritjen e një marrëveshjeje me kryeministrin Albin Kurti në takimin e sotëm ishin të vogla.

Koci në emisionin “Konfront” KTV, deklaroi se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pret që t’i bashkohet Vjosa Osmani dhe rrjedhimisht LDK-ja të rritet.

“Gjasat për marrëveshje sot kanë qenë të vogla edhe për shkakun sepse ata presin rritje. LDK-ja pret rritje sepse presin t’i bashkohet Osmani andaj Abdixhiku pret rritje. Se a do të ketë rritje apo përçarje me bashkimin e Osmanit kjo mbetet të shihet, por, Abdixhiku pret që në zgjedhjet e ardhshme bashkë me Osmanin ndonëse nuk mund ta krijojnë atë sinergjinë që kishte me Kurtin, pret rritje”, ka thënë Koci.

Njohësi i politikës, Koci, ka thënë se sot është dëshmuar edhe që të gjitha partitë politike e duan postin e presidentit.

“Dita e sotme ka dëshmuar edhe një gjë tjetër. Të gjitha palët kanë qenë të interesuara për të marrë postin e presidentit. Edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe opozita. Asnjë nga palët nuk ka bërë një propozim për një kandidat të pavaruar apo jopolitik”, ka thënë Koci.


Hasanpapaj: VV-ja e ka forcuar rolin e opozitës për presidentin

Analisti politik Bardhyl Hasanpapaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka forcuar rolin e partive opozitare për zgjedhjen e presidentit. Hasanpapaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Vetëvendosje kërkoi nga Kushtetuesja mendim nëse deputetët e kanë të obliguar qëndrimin në sallë për zgjedhjen e presidentit.

“Kërkuan të ndryshojnë rregullat e lojës. E mira është se rregullat e lojës nuk u ndryshuan, përkundrazi u rikonfirmua sërish, që deputetët nuk kanë detyrim të qëndrojnë në sallë. Dhe kjo faktorizoi, fuqizoi, rolin e partive opozitare në zgjedhjen e presidentit. Këtu është problemi që ka arritur z. Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, tha Hasanpapaj. 

Ai tha se e gjitha që ka bërë Vetëvendosje ishte legjitime, porse gjatë këtij rrugëtimi ka forcuar jashtëzakonisht shumë rolin e opozitës në zgjedhjen e presidentit. 

“Pa vetëdije, në mënyrë të pavullnetshme, ka arritur kundërefekt të jashtëzakonshme që tash e tutje s’mund të zgjidhet dot presidenti pa votat e partive tjera opozitare”, tha Hasanpapaj. 


Pantina: Këto janë lojëra të radhës të Kurtit

Politologia Shqipe Pantina, e ka quajtur lojë të radhës të kryeministrit Albin Kurti, situatën dhe takimet për çështjen e presidentit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas Pantinës, Kurtit i është shtuar trysnia në vizitat që pati në Londër e Francë andaj po mundohet të shmangë zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, përfshirë asociacionin.

“Krejt çka kemi dëgjuar nga opozita është që nuk duan që i njëjti subjekt politik t’i ketë tri pozitat më të larta. LDK-ja e kishte më të qartë kësaj here sepse herën e kaluar ata ia mundësuan Vjosa Osmanit të bëhet presidente. Kësaj radhe patën zëra që e mbështesin, LVV-ja nuk e bëri një gjë të tillë. Këto janë lojërat apo manovrat e radhës së Kurtit për të shmangur atë që për mua është ‘elefanti në dhomë’, që ai po mundohet të amortizojë ose zbutë zbatimin e marrëveshjeve duke përfshirë atë për asociacionin. Në këto vizitat që i pati në Londër e Francë, prapë trysnia u rrit”, ka thënë Pantina në emisionin “Konfront” në KTV.

Pantina ka thënë gjithashtu se Kurti ka ndryshuar mjaft shumë qëndrimet sa i përket figurës që duhet të udhëheq me postin e presidentit andaj sipas saj kjo do të duhej të ishte zhgënjyese për ata që e mbështesin.

“Diskutimi ose oferta e Kurtit ishte ministri përderisa pozitën e presidentit për të cilën ata thonin që e duan një figurë koncensuale pa librezë politike donin ta mbanin për numrin dy të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjfucën. Është një ndryshim koxha i madh i qëndrimeve, për dikë që vazhdon të ketë një fije besim te Kurti, mund të jetë zhgënjim sot”, ka thënë Pantina.