Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pandemia ua vështirëson kushtet familjeve me asistencë sociale

Familja 3-anëtarëshe e Hamit Ajdarit, për më shumë se 13 vjet përballet me mungesën e një kulmi mbi kokë dhe me vështirësi të shumta financiare.

Jetesën edhe më të rëndë ai thotë t’ia ketë bërë shëndeti i lig i vajzës së tij 5-vjeçare, së cilës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore shkaku i disa problemeve që nga lindja.

Kryefamiljari Ajdari thotë se asistenca sociale e vajzës së tij ka kohë që i është ndërprerë, ndërsa tregon se të shpeshta janë edhe rastet kur ai ndërron shtëpitë e banimit.

Së fundmi, shkaku i pandemisë, Komuna e Prishtinës e ka miratuar pakon ekonomike emergjente, brenda së cilës familjeve me asistencë sociale do t’u sigurohen pako higjienike e ushqimore.

Ajdari thotë se përkundër aplikimit për këto pako, atij i është thënë se në skemë do të futen vetëm familjet më social të garantuar.

Ai shprehet i zhgënjyer me pushtetin komunal, ndërkohë që problemi më i madh për të mbetet pagesa e qirasë.

E, ngjashëm me familjen Ajdari janë edhe rreth 1500 familje të tjera në Komunën e Prishtinës, për të cilat, nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale, thonë se do të merren parasysh.

Edhe Komuna e Prishtinës diskriminon skamnorët, ul buxhetin për shujta Arbëri Komuna e Prishtinës diskriminon skamnorët, ul buxhetin për shujta

Drejtori Dren Kukaj ndërkohë ka shpjeguar se për rastet e banimit me qira, drejtoria të cilën ai e udhëheq parasheh një plan që do ta rregullonte pagesën e tyre.

Megjithëse shton se ende nuk ka asgjë konkrete.

Krahas ndihmesës higjienike e ushqimore me pako emergjente, nga e shtuna, Komuna e Prishtinës ka nisur përsëri me shpërndarjen e shujtave për të gjitha familjet në nevojë.