Pako ushqimore e higjienike do të ndahen si ndihma për familje në nevojë në Prishtinë, në prag të festës së Bajramit. Pos ndihmave që janë ndarë nga Komuna, Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale, ka thënë se janë edhe 2000 pako të ofruara nga donatorë të ndryshëm.
Sipas tij, për të përfituar do të zgjidhen familjet që janë me kushtet më të rënda, duke nisur nga nënat vetushqyese e familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara.
“Kemi në vazhdimësi donatorë që ofrojnë pako të ndryshme. Ka pasur rritje jashtëzakonisht të madhe të donacioneve gjatë muajit të Ramazanit. Te ne donatori është prezent në shpërndarje. Ne e shohim Prishtinën me syrin tjetër, të ndërtimit, duke menduar se s’ka varfëri. Por ka pjesë të madhe të familjeve që jetojnë në varfëri ekstre. Kur i shohin ata, donatorët intervenojnë”, ka deklaruar Mujku.
Ai ka thënë se janë 1460 familje në Prishtinë përfituese nga skemat sociale.
Mujku ka vlerësuar se shuma që shteti ia ofron familjeve në nevojë, 70 euro për familje dhe nga 20 euro për çdo anëtar shtesë dhe shtesat për fëmijë, kanë devalvuar gati në 50 për qind për shkak të shtrenjtimeve.
Sipas tij, ngritja e çmimeve të produkteve bazike ka ndikuar edhe në ndihmat që u ofron familjeve në nevojë. Teksa ka thënë se një kohë pakot vlenin 12-13 euro me artikuj ushqimorë, ato sot kapin vlerën e 30 eurove për shkak të shtrenjtimit të produkteve.
Në nivel shteti, në Kosovë janë 25 deri 26 mijë familje në asistencë sociale. Sipas Mujkut, Prishtina ofron më shumë mundësi për punë dhe kjo ka bërë që numri të mos jetë më i madhi në kryeqytet.