Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PAN-i merr pjesë në takimin konsultativ - LAA do t’i drejtohet Kushtetueses nëse ata s’shkojnë në seancë

Koalicioni PAN do të marrë pjesë të mërkurën në takimin konsultativ, e më pas do të vendosë se si do të veprojë për seancën që kryesuesi e ka thirrur për të enjten.

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se në takimin e së mërkurës do të shkojnë me ofertën e njëjtë ndaj Vetëvendosjes e koalicionit LAA, raporton KTV.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR Alternativa, Avdullah Hoti, vazhdon ta quajë qesharake ofertën e PAN-it. Paralajmëron se nëse PAN-i do të vazhdojë që të mos marrë pjesë në seanca e të mos propozojë emrin e kandidatit për kryetar, koalicioni LAA do t’i drejtohet Kushtetueses.

Por, LDK-ja duket të jetë larg edhe një koalicioni me Vetëvendosjen. Hoti ka thënë se Vetëvendosje fillimisht duhet të kërkojë falje për të gjitha veprimet e dhunshme që ka bërë, gjuajtjen e gazit lotsjellës e koktej molotovit për Policinë e Kosovës, thyerjen e institucioneve, e pastaj do të lëvizin përpara për një bashkëpunim me ta.

Ai ka thënë se njerëzit nuk ndryshojnë brenda natës, edhe nëse vënë kravata, ata mbeten të njëjtit persona.

Edhe më e vështirë për t’u arritur ky koalicion mbetet mosgatishmëria e LDK-së për të hequr dorë nga temat e mëdha, siç janë demarkacioni, dialogu me Serbinë, që janë temat kryesore të cilat janë kundërshtuar fuqishëm nga lëvizja Vetëvendosje.

Edhe Pse LAA nuk do të marrë pjesë në seancat konstitutive Arbëri Pse LAA nuk do të marrë pjesë në seancat konstitutive

Hoti ka thënë se as Haradinaj nuk e meriton të jetë kryeministër, sepse ka qenë deri dje i përfshirë në dhunën që është ushtruar brenda Kuvendit.

Megjithatë, vija të kuqe LDK-ja ka vetëm për PDK-në dhe, sipas Hotit, është qeverisja e LDK-së që ka këputur burimet e financimeve joligjore të PDK-së, duke e çuar kështu në limitet e ekzistencës gjë që e detyroi të prishë koalicionin me LDK-në.