Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se në procesin e dialogut çuditërisht më shumë mund t’i besohet Beogradit sesa emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.
Palokaj në “Interaktiv” të KTV-së foli për deklaratën e Lajçakut në Prishtinë që tha se Serbia e ka tërhequr letrën që e kishte dërguar në BE ish-kryeministrja Ana Bërnabiq.
“Nuk është hera e parë, e kam thënë disa herë, për çudi në këtë proces më shumë duhet t’i besojmë Beogradit sesa Lajçakut. Beogradi asnjëherë nuk ka thënë se e ka tërhequr letrën, Lajçaku ka thënë se është tërhequr letra. E tha këtë në Prishtinë. Por, deri më tash s’kam gjetur asnjë burim tjetër në BE që beson se letra është tërhequr. Laçak asnjëherë nuk e ka sqaruar se çfarë ka menduar. Sot nga z. Bislimi dëgjuam se në bisedën që kishte me Lajçakun ai i tha se nuk është tërhequr letra, por se po punohet nga BE-ja që letra të tërhiqet. Kemi të bëjmë këtu me një manipulim apo improvizim të z. Lajçak që ta ndihmojë Serbinë, pasi ajo letër ishte dëshmi me shkrim se Serbia nuk është e gatshme të bëjë hapat që duhet për zbatimin e marrëveshjes. E në anën tjetër s’ka pasoja për Serbinë”, ka thënë Palokaj.