Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

The Times: Vuçiqi planifikoi grusht shtet pas zgjedhjeve

Aleksandar Vuçiq

Aleksandër Vuçiqi ishte i përgatitur që me forcë t’i kontestonte rezultatet zgjedhore dhe të mbetej në pushtet, por u tërhoq pasi u bë e qartë se Lista Studentore fitoi bindshëm dhe pas paralajmërimeve që mori në telefon, shkruan The Times, duke cituar politikanë e një ish-zyrtar policor. 

Sipas pretendimeve të tyre, Vuçiqi ishte i vendosur ta mbante pushtetin, por e braktisi planin kur Lista Studentore fitoi rreth 500.000 vota më shumë. Burimet pretendojnë se ata e paralajmëruan se një përpjekje për t’i kontestuar rezultatet mund të përfundonte shumë keq. 

“Ai dërgoi 4000 policë dhe 3000 kriminelë”

Spasoje Vuleviq, ish-komandant i Njësisë Speciale Anti-Terrorizëm të Serbisë, pretendon se Vuçiqi dërgoi 4000 policë dhe 3000 njerëz, të cilët i përshkroi si kriminelë, në qendër të Beogradit. “Jam i sigurt 100% se ai planifikoi të refuzonte t’i njihte rezultatet”. 

Sandro Gozi, anëtar i Parlamentit Evropian dhe president i Partisë evropiane Demokratike, ka thënë se gjatë ditës së zgjedhjeve, informacione shqetësuese po vinin nga qarqe diplomatike. 

Edhe Kush janë liderët e Listës së Studentëve që e mposhtën Vuçiqin Rajon Kush janë liderët e Listës së Studentëve që e mposhtën Vuçiqin

“Të dielën morëm raportime alarmuese nga burime diplomatike se Vuçiqi ishte i gatshëm të luftonte dhe të organizonte një grusht shteti”, deklaroi Gozi. 

Një prej kandidatëve udhëheqës të Listës Studentore, Radomir Saiçiq, po ashtu pretendon se kishte një plan për të përdorur forcë nëse rezultatet ishin të afërta mes tyre. 

“Ata kishin plan të përdornin forcë brutale për të kundërshtuar rezultation zgjedhor nëse ishte i ngushtë, por kam informacion se ai mori shumë thirrje nga policia dhe qarqe të tjera, që bëri që ai të ndryshonte mendje”, ka thënë Saiçiq. 

“Ata e bindën atë se zbatimi i atij plani do të përfundonte shumë keq për të”, shtoi ai. 

Ndërsa votuesit po votonin të dielën, burra të veshur në të zeza u panë që lëviznin përreth Parkut Pionirski në Beograd. 

Avokati Rade Duriq beson se autoritetet ishin të përgatitura për një skenar ku ata do t’i kontestonin rezultatet e zgjedhjeve. 

“Të dielën në mëngjes, Vuçiqi u ndje i paprekshëm. Dyshoj se ata planifikuan të denonconin parregullsi gjatë votimit dhe të kërkonin përsëritje të zgjedhjeve, gjë që do të nxiste protesta”, theksoi Duriq. 

Edhe Në Kosovë mirëpritet humbja e Vuçiqit, ka paqartësi për Listën e Studentëve Arbëri Në Kosovë mirëpritet humbja e Vuçiqit, ka paqartësi për Listën e Studentëve

Sipas tij, qeveria më pas do të përpiqej të përdorte dhunë si një arsye shtesë për anulimin e zgjedhjeve. 

Vuçiqi hoqi dorë rreth orës 21:30

Rreth orës 21:30, një orë e gjysmë pas mbylljes së vendvotimeve, Vuçiqi hoqi dorë nga kontestimi i rezultateve dhe grupet e burrave të mbledhur në qendër të Beogradit shpejt u zhdukën. 

Vuleviq beson se Vuçiqi ishte nën presion të madh. 

“Besoj se Vuçiqi mori telefonata nga qeveritë evropiane. Këto ishin biseda të nivelit më të lartë”, deklaroi ai. 

Kabineti i Vuçiqit mohon pretendimet

Zëdhënësja e Vuçiqit mohoi pretendimet se prezenca e rritur policore në Beograd ishte pjesë e një plani që ta mbante pushtetin me dhunë. 

Edhe Rashiq: Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe duhet të largohet nga politika Arbëri Rashiq: Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe duhet të largohet nga politika

Gozi nuk e përjashton mundësinë se zyrtarë evropianë intervenuan përmes telefonit për ta parandaluar dhunën. 

“Nuk e përjashtoj mundësinë se pati telefonata, por numri i votave kundër tij ishte thjesht shumë i lartë. Vuçiqi u zu krejtësisht në befasi”.