Kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka refuzuar të japë përgjigje nëse e ka tërhequr letrën drejtuar Bashkimit Evropian, në të cilën ajo shprehte kundërshtim për Marrëveshjen e Ohrit.
“Pyetja e vërtetë është nëse është tërhequr?” ka thënë Bërnabiqi në një intervistë të enjten, duke refuzuar të japë përgjigjen.
Ky debat u bë pasi ditë më parë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Prishtinë tha se letra kundërshtuese e ish-kryeministres serbe është tërhequr.
E në një intervistë për “Euronews Serbia”, Bërnabiq ka thënë se “nuk e di përse Lajçaku e ka thënë këtë”.
“Nuk kam folur me të, por e di cila është e vërteta dhe do ta dëgjojmë kur të jetë koha e duhur për shtetin dhe interesat tonë”, ka thënë ajo duke shtuar se “tani s’është koha”.
Ajo ka shtuar se qëllimisht nuk po flet për këtë çështje.
Edhe
Palokaj për letrën e Bërnabiqit: Më shumë duhet t’i besojmë Beogradit sesa Lajçakut
Pavarësisht deklaratave të Lajçakut në Prishtinë, Bashkimi Evropian ka refuzuar të konfirmojë nëse Bërnabiq e ka tërhequr letrën.
Në letrën pas Marrëveshjeve, Bërnabiq kishte thënë se Serbia s’do t’i zbatojë pikat që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës.