Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pakoja ligjore e reformës së administratës publike afron Kosovën me BE-në

Prishtinë, 28 qershor - Ministria e Administratës Publike (MAP) ka organizuar sot në Prishtinë debatin përmbyllës konsultativ me komunat e Kosovës për pakon ligjore të reformës së administratës publike me pjesëmarrje të komunave dhe organizatave të shoqërisë civile nga rajoni i Prishtinës, Mitrovicës dhe Prizrenit. Ishin po ashtu kryetarët e komunave të Prishtinës, Shpend Ahmeti, Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe Mamushës, Abulhadi Krasniq, si dhe zyrtarë të komunave e përfaqësues të organizatave joqeveritare. Debatin e udhëhoqi znj. Leonora Kryeziu, drejtoresh ekzekutive e Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Në hapjen e debatit Ministri Yagcilar deklaroj se përmes pakos ligjore të reformës së administratës publike, vendi do të afrohet më shumë me BE-në, përderisa do të forcojë kornizën legjislative për qeverisje të mirë dhe llogaridhënie karshi qytetarëve. Ai shtoi se tre projektligjet kanë një rëndësi të veçantë për procesin e shtetndërtimit dhe përmes tyre adresohen problemet qenësore në administratën shtetërore që kanë zbehur besim qytetar dhe kanë penguar ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët. Yagcilar, sqaroi se pakoja ligjore adreson problemet aktuale me procesin e rekrutimit në institucionet publike, duke parandaluar ndikimet politike në proces me qëllim forcimin e një administrate profesionale dhe efektive. Krahas kësaj, tre projektligjet do të zgjidhin edhe problemet me themelimin dhe funksionimin e agjencive të pavarura si dhe do të vendosin rend dhe rregull në sistemin e pagave dhe shtesave për sektorin publik.

Ministri Yagcilar shtoi se ditëve në vijim Ministria pritet të përmbyllë procesin e konsultimit publik për tre projektligjet dhe pas adresimit të komenteve nga ana e qytetarëve, institucioneve dhe palëve të tjera do të dërgojë projektligjet për aprovim në Qeveri.

Në përmbyllje të debatit ministri Yagcilar tha: “Pakoja ligjore e reformës së administratës publike krijon bazë të fuqishme legjislative për një shtet modern e evropian, që ka kapacitet të ballafaqohet të zbatojë në mënyrë efektive reformat e procesit të integrimit evropian”

Ministria e Administratës Publike ka publikuar në platformën e konsultimeve publike draftet aktuale të projektligjeve, të cilat mund të gjenden në këtë link: http://konsultimet.rks-gov.net/consultations.php?InstitutionID=20001&OpenPage=0&ClosedPage=0