Arbëri

Pahor: Ndarja e kufijve në baza etnike s’përfundon në mënyrë paqësore

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka përsëritur qëndrimin e tij se nëse bëhet ndonjë ndryshim i kufijve në Ballkan, në baza etnike, kjo do të kishte si fund luftën. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte që rajoni të futej në Bashkim Evropian në kufijtë aktualë.

Duke komentuar “non-paperat” e fundit, Pahor në një intervistë në Interaktiv të KTV-së ka thënë se e refuzon plotësisht idenë që të ketë ndarje të kufijve në baza etnike, siç thuhej në një “non-paper” i cili thuhej se doli nga zyra e kryeministrit slloven.

“Shpeshherë ditët e fundit dhe kohët e fundit e kam thënë se jam kundër ideve që paraqiten në dokumente të tilla që ndryshimi i kufijve nuk e përkrah aspak dhe se shumë më afër jam mendimit që të bëhet zgjerimi i BE-së dhe me këta kufij që ekzistojnë. Edhe nëse dikush në mënyrë naive mendon dhe fillon të bisedojë për kufijtë në këtë rajon e di se nuk do të përfundojë në mënyrë paqësore, pasi kemi përvojën nga ky rajon se ndryshimet e kufijve. Dhe në këtë kuptim e refuzoj plotësisht idenë e këtij ‘non-paperi’”, ka thënë ai.

Pahor ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë ka qenë që të shkëmbejë mendimet para Samitit të së hënës në Brdo Brioni.

Ai ka thënë se qe një kohë të gjatë s’ka pasur interesim aq të madh të Bashkimit Evropian dhe faktorit ndërkombëtar lidhur me qëndrimet e shteteve të Ballkanit.

“Do të dëshiroja që në konkluzionet e këtij Samiti të paraqitet vullneti i shteteve dhe të tregojmë besim se duhet të vazhdojmë me zgjerimin e Bashkimit Evropian edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht pas përmbushjes së reformave që kërkohen dëshirojmë dhe në një kohë jo të largët duam ta shohim rajonin aty ku e ka vendin, pra si pjesë të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai.

Për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Pahor ka thënë se një gjë e tillë do të ishte e mirë për të gjithë rajonin.

Dialogun Kosovë-Serbi, Pahor ka thënë se e sheh si mundësi të mirë që të gjitha çështjeve t’u jepet zgjidhja.

Për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Pahori është shprehur se pa pasur dëshirë të dy palët për zgjidhjen e problemit, rezultate s’do të ketë.

“Siç i kam thënë edhe kryetares suaj kur ia shpjegova rastin që kemi pasur sa isha kryetar i qeverisë- pra problemin me Kroacinë, e di se Kosova dhe Serbia presin mbështetje nga evropianët. Por e vërteta është se zgjidhjen duhet ta gjejnë udhëheqësit e të dyja vendeve. Si mik i dy kombeve - shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve dhe dy shteteve dëshiroj që të gjendet një vullnet politik për vazhdimin e këtyre negociatave të vështira dhe në fund shpresoj që të gjejnë vendimin i cili do të jetë kompromis i mirë për të dyja palët dhe kuptohet edhe për Bashkimin Evropian. Por nuk mund të japë një qëndrim të prerë se si do të ndikonte ky proces në udhëheqësinë e Bashkimit Evropian për nxitjen e mëtutjeshme sa i përket zgjerimit”, ka deklaruar më tej ai.