Arbëri

Pacolli: Me kushtet ekzistuese të Samitit në Sarajevë na është pamundësuar përfaqësimi

Foto: Koha

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosovës i është pamundësuar pjesëmarrja në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Vetëm disa orë para fillimit të takimit në nivel ministror dhe Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP), Pacolli ka deklaruar se i kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë ngjarje, por që, qëndrim i palëkundur i institucioneve të Republikës së Kosovës është që me kushtet ekzistuese vendit i është pamundësuar përfaqësimi në Samit.

Ai thotë se, mënyra se si është menduar të trajtohet delegacioni shtetëror i Kosovës është e papranueshme.

Sipas tij, ky trajtim i vë hije të keqe edhe Samitit të posapërfunduar të Poznanit në kuadër të Procesit të Berlinit, deklaratave dhe zotimeve të përbashkëta që janë bërë aty, por edhe angazhimeve të sinqerta dhe konstruktive që Kosova si shtet i bën në kuadër të nismave dhe organizatave rajonale.

“Për fat të keq ky vullnet i yni është keqkuptuar nga ana e kryesuesit aktual të Kryesisë së Bosnjë Hercegovinës ndërsa qytetarët tanë i siguroj se ne nuk bëjmë kompromise me të arriturat tona si shtet si dhe me perspektivën euroatlantike”, shkruan ai.

Ai thotë se institucionet e vendit do të vazhdojnë ta japin kontributin për zhvillimin e rajonit, gjë që sipas tij, është dëshmuar këtë vit, kur Kosova po kryeson me tri nisma shumë të rëndësishme rajonale (Fondi i Ballkanit Perëndimor WBF, Zyra rajonale për bashkëpunim të rinisë RYCO, dhe Nisma rajonale për migrim, azil dhe refugjatë MARRI).

“Njëjtë do të bëjmë edhe pas përfundimit të Samitit të SEECP në Sarajevë kur edhe do ta marrim kryesimin me këtë nismë. Ndërsa kur e dimë se SEECP është krijuar me qëllimin për forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon dhe integrimin e plotë të Europës Juglindore në strukturat euroatlantike kjo sjellje ndaj Kosovës si kryesuese e radhës nuk i bën nderë Bosnjë e Hercegovinës”, ka shkruar Pacolli.