Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova qëndron krah vendeve të lira dhe dënon ashpër veprimet e regjimit të Asadit i cili, siç ka shkruar Pacolli, po shkakton tragjedi dhe dhimbje popullit të Sirisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i merr me shqetësim të jashtëzakonshëm lajmet për përdorimin e armëve kimike dhe me keqardhje e pikëllim për viktimat civile që i shkaktojnë. Sulmet me armë kimike paraqesin shkelje të rënda të së drejtës së konfliktit të armatosur. Për më tepër përdorimi i armëve kimike është i ndaluar dhe sanksionuar nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Pacolli.
Sipas tij, rregullat ndaluese sot paraqesin norma imperative të së drejtës ndërkombëtare për të cilat është pajtuar ndërgjegjja e botës së qytetëruar.
“Siria është anëtare nënshkruese e kësaj konvente e cila i obligon shtetet anëtare të ndërmarrin masa të nevojshme ndaj personave fizikë dhe juridikë për të zbatuar ndalesën brenda juridiksionit të tyre”, ka shkruar Pacolli.