Një grup i pacientëve me sëmundje reumatike edhe këtë të enjte ka protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë, meqë nuk janë furnizuar si zakonisht me dy dozat e barit Etanercept. Ndryshe nga java e kaluar, kur u shpërfillën nga përgjegjësit e institucioneve, paraditen e së enjtes ata patën takim me zyrtarët e lartë të MSH-së.
Skënder Ajvazi, njëri nga protestuesit, është shprehur optimist pas takimit.
“Takimi i sotëm shkoi mirë dhe na premtuan që prej javës së ardhshme, besoj që 90 për qind, 100 për qind, kemi për ta pasur terapinë Etanercept. Sekretari i Shëndetësisë, Naim Bardiqi, na premtoi dhe sugjeroi, na dha shpresë që më nuk do të ketë problem me këtë terapi me Etanercept”, ka thënë Ajvazi.
Ministria ndërkohë nëpërmjet telefonit i njoftoi ata se ka mundësuar sigurimin e 100 njësive në kuadër të donacionit. Pacientët me sëmundje reumatike marrin këtë substancë biologjike me nga dy doza në javë. Sipas llogaritjeve, dy doza do t’u mjaftojnë vetëm 50 pacientëve e rreth 60 të tjerë përsëri do të kenë mungesë të tij.
Skënder Ajvazi pasi pranoj këtë informatë u shpreh i zhgënjyer dhe paralajmëroi masa të tjera për ditët në vijim.
“Po e presim edhe një javë ditë, që nuk ka, kemi të tjera masa në emër të Zotit. Unë i vdekur se i vdekur, bile të dal diku nëpër gazeta, të dihet për çka po vdes. Shkaku i terapisë më nuk po mund të jetoj… Tash që na premtuan, tash ta shohim. Se ne më nuk vijmë kështu në mënyrë paqësore. Tash prej javës tjetër besoj që ka për të qenë radikale. Edhe le ta dinë me Ministri, me Kryeministri, le ta di krejt Kosova për çka e kemi bërë këtë gjest”, ka thënë Ajvazi.
Asnjë nga zyrtarët e Ministrisë që ishin në takim nuk kanë dalë të prononcohen me gjithë insistimin e mediave.
Pacientja tjetër, Ishik Kajtazi, tregon për vështirësitë me të cilat përballet në mungesë të tij.
“Unë jam qe dhjetë vjet e sëmurë me artrit psoriatik, qe dy vjet e përdor këtë injeksion, e marr çdo javë. Kur nuk po e marr po kam shumë dhimbje në trup. Në të gjitha anët, nuk po mundem të lëviz dhe patjetër më duhet që ta marr çdo javë këtë terapi”, ka thënë Kajtazi.
KOHA ka pyetur MSH-në për rezultatet e takimit, për sasinë dhe afatin e skadimit të barit, si dhe pse nuk i ka lëshuar këtij donacioni leje importi më herët, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
E drejtuesi i kompanisë “Santefarm”, Milaim Abdullahu, ka thënë se malli do të dorëzohet të hënën në Barnatoren Qendrore.
Sipas tij, bëhet fjalë për 100 kuti donacion që kanë brenda nga 5 ampula, e që gjithsej pacientët do të kenë 500 ampula në dispozicion. Ai ka sqaruar edhe për furnizimin në mënyrë të rregullt sipas kontratës që ka me ShSKUK-në.
“Furnizimi i rregullt vjen tek javën tjetër. Domethënë, edhe pse vjen ky donacion, janë 400 doza për 100 pacientë. Prapë e sjellim furnizimin e rregullt që ka dalë në prodhim dhe vjen në fund të javës së ardhshme”, ka thënë Abdullahu.
KOHA ka raportuar edhe javën e kaluar se si vonesat në furnizim sipas kontratës me kompaninë “Santefarm” dhe afati i skadimit të barnave sipas ligjeve të Kosovës e kanë lënë pa barin Etanercept një pjesë të pacientëve të Reumatologjisë.
Bazuar në Ligjin për produkte dhe pajisje mjekësore, neni 12, produkti mjekësor duhet të ketë së paku një vit afat skadimi të mbetur. E sipas kompanisë, bari Etanercept deri më tani ka qenë i prodhuar me afat të skadimit më pak se 12 muaj dhe se për këtë arsye nuk kanë mundur të bëjnë furnizimin e rregullt në kuadër të kontratës dhe e kanë mundësuar atë përmes donacionit.
Sipas nenit 40 të po këtij ligji, për donacionet e produkteve mjekësore dhe pajisjeve të tyre, produktet që janë subjekt i donacioneve do të importohen dhe të përdoren në Republikën e Kosovës përmes AKPPM vetëm me aprovimin paraprak të ministrit të Shëndetësisë.
Në nenin 3, paragrafi 3.3, thuhet se “produkti dhe pajisja medicinale duhet të ketë së paku një (1) vit afat skadimi të mbetur”. Sqarimet e tjera pasojnë në paragrafin në vijim ku thuhet se “nëse produkti dhe pajisja medicinale ka të përcaktuar kohëzgjatjen e tërësishme për përdorim një vit ose më pak pas prodhimit, atëherë importi duhet të lejohet nëse produkti medicinal ka 2/3 e këtij afati në kohën kur importohet në Republikën e Kosovës”.
Sipas kompanisë “Santefarm”, donacioni aktual ka 11 muaj afat të skadimit.
SHSKUK-ja dy vjet më parë i kishte kontraktuar ampulat 25 mg për 128.90 euro e totali i kostos arrin në 2 milionë e 722 mijë e 368 euro. Bazuar në kontratën e siguruar, për 24 muaj +/-30%, sasia e planifikuar është 21.120 ampula dhe koha e dërgesës 30 ditë.