Punonjësja e shëndetësisë, Delfina Alaj-Bakia, e cila është specializante e stomatologjisë, ka njoftuar se pacientëve me sëmundje të ndryshme reumatike po u pamundësohet trajtimi me terapinë Etanercept në Klinikën Reumatologjike.
Alaj-Bakia e cila është edhe vetë paciente me sëmundja autoimune reumatike, ka thënë se çmimi i kësaj terapie sillet rreth 500 euro vetëm për një dozë që merret një herë në javë.
“Sot nuk jam si mjeke, jam si paciente, flas në emër të një grupi mbi 100 vetë të pacientëve me sëmundje autoimune reumatike që nuk po arrijnë të marrin terapinë me rregull. Kemi sëmundje të ndryshme reumatike, unë jam me artrit psoriatik, ka me artrit reumatik, të cilat i pamundësojnë jetën tonë normale dhe fjala e fundit apo mjekimi i fundit është kjo terapi që gjendet në listën e barnave esenciale, por këto dy vitet e fundit ka shumë ndërprerje të terapisë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, furnizuesi është ai i cili po i shkakton këto mungesa, ndërsa arsyet që jepen janë vonesat e porosive, vonesat në pagesa e në ekzekutim të buxhetit.
“Arsyet që na jepen janë që ka vonesa të pagesave, vonesa të ekzekutimit të buxhetit, vonesa të porosive, janë arsye shumë banale, përderisa këtë radhë vonesa është shumë më e gjatë, kemi gjashtë javë pa e marrë terapinë dhe arsyeja është te furnizuesi. Terapia merret në baza javore dhe është mjaft e shtrenjtë të sigurohet në rrugë private. Një herë e kam pyetur furnizuesin kur kishte mungesa, çmimi ka qenë rreth 500 euro në javë”, ka thënë ajo.
Ajo ka njoftuar se furnizues me këtë terapi është kompania farmaceutike “Santefarm”.
Sipas saj, numri i pacientëve që trajtohen me terapinë është rreth 120, por se së fundmi në dispozicion kanë qenë vetëm 64 doza.