Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet vetëm si çështje e përgjegjësisë individuale, por edhe si çështje e sigurisë kombëtare të Kosovës.
Përmes një komunikate, OVL e UÇK-së ka theksuar se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe se çdo fajësi duhet të përcaktohet vetëm përmes një procesi gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent.
Megjithatë, organizata shprehet se akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë pretendimet për bashkëpunim të supozuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), kërkojnë që institucionet përgjegjëse të hetojnë në mënyrë të plotë të gjitha lidhjet e mundshme.
Sipas OVL UÇK-së, hetimi duhet të përfshijë kontaktet, ndërmjetësit, burimet, komunikimet, lidhjet financiare dhe personat apo strukturat që mund të kenë pranuar materiale të ndjeshme.
“Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim. Kosova nuk duhet të tolerojë struktura të fshehta që grumbullojnë informacione, formësojnë narrativa apo u shërbejnë interesave të huaja kundër sigurisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial”, thuhet në reagim.
Organizata kërkon gjithashtu që institucionet të verifikojnë nëse shërbime inteligjente të vendeve armike kanë mbledhur, përcjellë ose shfrytëzuar materiale që lidhen me luftën çlirimtare.
Sipas komunikatës, kjo çështje nuk duhet të barazohet me proceset gjyqësore që zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës. OVL-UÇK kërkon që të sqarohet origjina e materialeve, mënyra se si janë përcjellë, konteksti në të cilin janë krijuar dhe mënyra se si mund të jenë përdorur.
Edhe
Sopi: Mbi 22 mijë persona kanë nënshkruar peticionin në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së
Në komunikatë, OVL UÇK e lidh këtë çështje edhe me atë që e cilëson si luftë hibride, propagandë dhe përpjekje për shtrembërimin e historisë së luftës së UÇK-së.
Sipas organizatës, mbrojtja e së vërtetës për luftën çlirimtare nuk ka përfunduar me përfundimin e luftës në qershor të vitit 1999.
Ndërkohë, çdo përgjegjësi penale ndaj personave të përfshirë në rast, përfshirë Fatmir Shehollin, mbetet çështje që duhet të përcaktohet nga gjykata përmes një procesi të rregullt ligjor.