Avokatja Fehmije Gashi – Bytyqi ka thënë se provat e Prokurorisë në aktakuzën për spiunazh ndaj Fatmir Shehollit janë shumë serioze.
Ajo ka thënë se pret që gjatë procesit gjyqësor provat e Prokurorisë Speciale të vërtetohen.
“Unë besoj që vërtetohet, për arsye se provat janë mjaft të fuqishme, mandej përveç provave që i ka mbledhur Policia në bashkëpunim me prokurorin e çështjes Bekim Kodraliu, ... edhe gjatë kohës sa ka qenë Sheholli në paraburgim i ka vënë masat e përgjimit, siç po veprohet zakonisht, e kanë përgjuar edhe me familje e me të gjithë, por si do të ndodhë në fund unë nuk e di”, ka deklaruar Bytyqi.
Ajo ka thënë se beson që për rastet e spiunazhit që janë duke u trajtuar nga institucionet e drejtësisë meritat më të mëdha i ka Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Edhe të rasati i Sheholli edhe te rastet e tjera besoj që meritat kryesore i ka AKI-ja, ajo tregon që ata çdo ditë po perfeksionohen, po ngritën edhe po punojnë në heshtje, në sekret, në konfidencialitet, siç parashihet me ligj”, është shprehur Bytyqi.
Për këto raste ka thënë se merita kanë edhe Prokuroria si dhe Policia e Kosovës.
Tw hwnwn nw seancw filesstari i akuzuari pwr spiunazh, Fatmir Sheholli, wshtw deklaruar i pafajshëm.
“E ndiej veten të pafajshëm”, deklaroi shkurt Sheholli, pasi Prokuroria ia lexoi aktakuzën.
Sipas prokurorit Bekim Kodraliu, Sheholli dyshohet se ka ndihmuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe përcjellë informacione lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kodraliu tha se sipas aktakuzës, Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, dyshohet se ka vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga një zyrtar i lartë i BIA-s.
“I pandehuri Fatmir Sheholli, nga një datë e papërcaktuar e deri më datë 09.10.2025, në territorin e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – (i njohur si ‘BIA’), e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtari i lartë i saj, Bojan Dimiq, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ashtu që i pandehuri Sheholli, ka mbledhur, siguruar dhe, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike, ka përcjellë te ky zyrtar të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.