Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani u kërkon qytetarëve të vaksinohen: Po s’u vaksinuam, jemi humbës

Në më pak se një muaj, në Kosovë është rritur për 35 herë shifra e rasteve aktive me COVID-19. Nga fillimi i javës, lakorja e numrit të personave të prekur me koronavirus ka vazhduar të ngritët. E, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 888 raste të reja pozitive.

Ndërkaq, institucionet kosovare po u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen për t’i ikur shtimit më të madh të rasteve e rritjes së numrit të të infektuarve me variantin Delta.

Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar se po s’u vaksinuan të gjithë, të gjithë do të jenë humbës. Vaksinimin Osmani e ka quajtur akt patriotik.

“Teksa shqetësimi për variantin e ri të virusit rritet, ne duhet t`i shtojmë përpjekjet për vaksinim. Është akt patriotik që secili prej nesh të vaksinohet sa më parë të jetë e mundshme. Vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë, ndaj duhet të ndajmë pak minuta nga dita për ta bërë një veprim, i cili në kohën e sotme është më shumë se sa personal”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, deri tash janë administruar 533 mijë doza të vaksinave anti-COVID, me 181 mijë qytetarë që i kanë marrë të dy dozat e mbi 171 mijë që kanë marrë vetëm të parën.