Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Trumpi dhe Rutte mund ta bëjnë të mundur anëtarësimin e Kosovës në NATO

Vjosa Osmani në Universitetin Johns Hopkins

Vjosa Osmani në Universitetin Johns Hopkins

 

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpi dhe sekretari i NATO-s, Mark Rutte, duan që Kosova të jetë pjesë e aleancës atëherë kjo mund të bëhet e mundur.

Në një diskutim në Universitetin Johns Hopkins në SHBA të enjten, Osmani ka thënë se Trumpi dhe Rutte mund t’i bindin shtetet mosnjohëse për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Këtu ajo përmendi Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë e Greqinë.

“Atyre mund t’ju duhej më shumë përpjekje me Spanjën, Sllovakinë e Rumaninë. Greqia s’ka qenë asnjëherë bllokuese”, u shpreh Osmani para studentëve, e shoqëruar nga ligjëruesi i këtij universiteti dhe eksperti i Ballkanit, Edward Joseph.

Tutje, presidentja u shpreh se anëtarësimi i Kosovës është më i thjeshtë sesa i Ukrainës – vend tjetër që ka shprehur aspirata t’i bashkohet aleancës veriatlantike, por ka probleme më të thella gjeopolitike, meqë është në luftë me Rusinë.

Duke dhënë argumente se pse është i nevojshëm anëtarësim i Kosovës në NATO, Osmani ka deklaruar se kjo duhet të bëhet për qëllime strategjike, por edhe ato ekonomike.

Edhe Osmani: Anëtarësimi në NATO më urgjent për Kosovën sesa integrimi evropian Arbëri Osmani: Anëtarësimi në NATO më urgjent për Kosovën sesa integrimi evropian

Osmani theksoi se deri në vitin 2035 synojnë ta dyfishojnë buxhetin për mbrojtje. Në vitin 2025, Kosova planifikon të investojë 2% të PBB-së në mbrojtje. Anëtarët e NATO-s janë zotuar t’i rrisin shpenzime në 5%.

“Ne planifikojmë që ta bëjmë këtë para vitit 2035. Kjo sepse është nevojë strategjike e vendit për të ofruar stabilitet dhe siguri në rajon”, vijoi ajo.

Biseda e Osmanit me studentët zgjati rreth një orë e gjysmë.