Presidentja Vjosa Osmani ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e shkarkimit të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit, Besim Kelmendi. Edhe kur iu referua vendimit, tha se ka pasur tentim-shkarkim. Osmani theksoi se është shumë shqetësuese, që pesë anëtarë të KPK-së kanë deklaruar se nuk ndihen të sigurt
Presidentja Vjosa Osmani i ka cilësuar jashtëzakonisht serioze zhvillimet e javës së shkuar në Këshillin Prokurorial. Ajo tha të hënën se po analizohet procesi nga aspekti ligjor, sa i përket siç e quajti ajo, tentim-shkarkimit të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit, Besim Kelmendit.
Osmani theksoi se është çështje e cila është shumë shqetësuese, është që pesë anëtarë të KPK-së kanë deklaruar se nuk ndihen të sigurt dhe kanë kërkuar mbrojtje.
“Ne jemi duke analizuar procesin nga aspekti ligjor. Njëkohësisht si presidente e Republikës dhe garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve jam në bashkëpunim dhe koordinim me shtetet e QUINT-it, lidhur me këto zhvillime jashtëzakonisht serioze. Një çështje e cila është shumë shqetësuese është që pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial kanë deklaruar publikisht se nuk ndihen të sigurt dhe kanë kërkuar mbrojtje nga institucionet e sigurisë në vend. Si presidente jam marrë me këtë çështje në bashkëpunim me qeverinë. Është e pafalshme që 26 vjet pas luftës të kemi anëtarë të Këshillit Prokurorial, qofshin ata prokurorë apo jo prokuror që nuk ndihen të sigurt dhe ndihen të kërcënuar”, ka thënë Osmani.
Lidhur me pretendimet për kërcënime të hënën ka reaguar Këshilli Prokurorial, duke i mohuar ato.
“KPK-ja deklaron se janë tërësisht të pavërteta dhe të pabazuara deklarimet e disa anëtarëve të Këshillit se kinse kanë qenë subjekt i ‘kërcënimeve’ gjatë zhvillimeve të fundit në institucion. Asnjë fakt, provë apo element objektiv nuk është paraqitur për të mbështetur pretendime të tilla. Nëse ekziston dyshim i bazuar për ndonjë kërcënim, obligim ligjor dhe institucional është që i njëjti të raportohet menjëherë pranë organeve kompetente të sigurisë, e jo të publikohen deklarata të cilat mund të krijojnë perceptim të rremë, të deformojnë realitetin dhe të dëmtojnë para opinionit publik reputacionin e Këshillit Prokurorial të Kosovës si institucion kushtetues”, thuhet në reagimin e KPK-së.
E, nëpërmjet deklaratës së saj, Osmani la të kuptohet se nuk e njeh vendimin për shkarkim të Kelmendit. Ajo tha se bëhet fjalë për tentim-shkarkim.
“Sistemi i drejtësisë në vend është ballafaquar me sfida sa i përket profesionalizmit, integritet, pavarësisë dhe paanshmërisë dhe është me rëndësi që deklaratat e mia mos të shihen si ndonjë ndërhyrje sepse asnjëherë skam ndërhyrë në sistemin e drejtësisë që t’i lëmë vend edhe analizës së përbashkët që kemi me partnerët tanë rreth tentim shkarkimit… jemi në proces dhe shumë shpejtë do të kemi deklaratë të plotë”, ka thënë Osmani.
Por, anëtarët që votuan për shkarkim, thanë se vendimi është i ligjshëm.
“Takimi i KPK-së ka qenë plotësisht i hapur dhe transparent dhe është zhvilluar në prani të publikut dhe mediave. Katër (4) anëtarë të Këshillit, përfshirë Ushtruesin e Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kanë zgjedhur ta braktisin takimin me vullnetin e tyre, pa pasur asnjë kërcënim apo presion nga ndonjë anëtar tjetër i Këshillit. Çdo anëtar i KPK-së gëzon pavarësi funksionale dhe imunitet në ushtrimin e detyrave, siç përcaktohet me Kushtetutë dhe legjislacionin relevant. Për këtë arsye, deklarimet që aludojnë në presione ose kërcënime ndaj anëtarëve janë të papranueshme, të pajustifikuara dhe të pambështetura në ndonjë fakt juridik apo procedural”, thuhet në reagimin e 5 anëtarëve.
Katër ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, 5 anëtarë votuan për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka vlerësuar se shkarkimi pengon reformën e vazhdueshme dhe të domosdoshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë tutje thuhet se ky vendim shpërfill edhe parimet e sundimit të ligjit dhe detyrimin ndaj qytetarëve.
“Vendimi gjithashtu minon përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet më tej në njoftim.
Prej më shumë se tre vjetësh, Kosova ka ushtrues detyre të kryeprokurorit, meqë i propozuari nga KPK-ja, Blerim Isufaj, nuk është dekretuar nga presidentja Osmani.