LAJMET E MBRËMJES

Kelmendi sfidon shkarkimin në gjykatë

Besim Kelmendi e ka sfiduar në gjykatë vendimin e nxjerrë me pesë vota pro për shkarkimin e tij nga pozita e kryeprokurorit të Shtetit. Pas deklaratës së presidentes Vjosa Osmani se është e papranueshme që anëtarët e KPK-së të ndihen të kërcënuar, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Arian Hajdaraj, ka thirrur konferencë për media në të cilën i ka fajësuar Kelmendin dhe katër anëtarët e tjerë për sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve

Padi administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka parashtruar të martën Besim Kelmendi, i cili ditë më parë është shkarkuar me pesë nga 10 votat e anëtarëve të Këshillit Prokurorial (KPK) nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit. 

Kelmendi ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë - pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe vazhdimin e ushtrimit të e pozitës deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

Në ankesën e dorëzuar në Themeloren në Prishtinë, Kelmendi ka pretendoi se akti i shkarkimit të cilin e ka nxjerrë KPK-ja përbën llojin më të rëndë të shkeljes së të drejtës administrative.

“Pavlefshmëria absolute është kategoria më e rëndë e pavlefshmërisë në të drejtën administrative... Në rastin konkret: organi nuk ka pasur kuorum; organi nuk ka qenë i konstituuar, pasi takimi ishte mbyllur nga kryesuesi i KPK-së; vendimi është marrë pa kompetencë materiale dhe pa kompetencë funksionale; procedura themelore për njoftim dhe thirrje të gjithë anëtarëve të KPK-së nuk është respektuar”, thuhet në padinë e dorëzuar nga Kelmendi.

Por vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e ka mbrojtur kryesuesi i KPK-së, Arian Hajdaraj, i cili e ka fajësuar Kelmendin për qëndrime denigruese dhe sulm ndaj institucioneve.

“Nga qëndrimet e njëanshme dhe denigruese nga Kelmendi është zbehur ndjeshëm roli unifikues për këtë arsye kemi marrë vendim për shkarkimin e tij. Për shkak të kësaj arsye dhe politike sistemi prokurorial ka mbetur pa dekretimin e kryeprokurorit. Kemi marrë vendim për shkarkimin e Besim Kelmendi nga pozita që ushtronte dhe në vend të tij ka ardhur Agron Qalaj ne e mirëpresim qasjen e Kelmendit që të ndjekë të gjitha rrugët ligjore ne duhet t’i besojmë sistemi gjyqësor. Tentimi për të penguar punën përbën sulm drejtpërdrejt në institucione dhe kërcënim për rendin dhe ligjin”, ka thënë Hajdaraj në një konferencë shtypi të martën.

E të hënën, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se në bashkëpunim me shtetet e QUINT-it është duke e analizuar çështjen e shkarkimit apo tentim-shkarkimit të kryeprokurorit Besim Kelmendi. 
Nëpërmjet një deklarate për media, ajo ka thënë se është e pafalshme që anëtarët e KPK-së kanë kërkuar mbrojtje nga organet e sigurisë, meqë kanë thënë se ndihen të kërcënuar. 

Për këtë, Hajdari u është drejtuar me një kërkesë presidentes dhe Qeverisë në detyrë.

“E pamë edhe deklaratën e presidentes, ne ritheksojmë se askush nuk është e kërcënuar dhe se presidentja mund të jetë e keqinformuar. I bëjmë thirrje presidentes, qeverisë dhe çdo institucioni tjetër që të mos ndërhyjë në punët e sistemit prokurorial dhe të respektojë pavarësinë institucionale”, ka thënë ai.

Hajdari ka theksuar po ashtu se KPK-ja e respekton dhe bashkëpunon me Bashkimin Evropian (BE), tek e ka mbrojtur vendimin për shkarkimin e Kelmendit.

Në zyrën e BE-së në Kosovë kanë vlerësuar më herët se shkarkimi i Kelmendit pengon reformën e vazhdueshme dhe të domosdoshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës. E në Ambasadën amerikane në Prishtinë u kanë bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë që t’i respektojnë ligjet dhe t’i ndjekin procedurat e duhura ligjore.

Më 20 nëntor, anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli, e ka propozuar shkarkimin e Kelmendit, pas raportimeve në një media lokale se ai ka bashkëpunuar gjatë vitit 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën gjyqtarja e ka konsideruar ngjarje të trilluar.

Kelmendi e ka mohuar bashkëpunimin në atë rast, ndërsa vendimin për shkarkimin e tij e ka konsideruar të paligjshëm, duke thënë se është marrë në mungesë kuorumi, prandaj do ta vazhdojë punën në këtë institucion. Në linjë me qëndrimin e tij kanë qenë edhe disa anëtarë të KPK-së, në mesin e tyre Visar Krasniqi, sipas të cilit çdo vendim i marrë në mungesë kuorumi “është inekzistent” dhe që propozimi për shkarkimin e Kelmendit bazohet “në një energji të qartë të një puçi institucional”.

KPK-ja i ka 13 anëtarë, ndërsa për shkarkimin e Kelmendit kanë votuar pesë prej tyre. Sipas rregulloreve, kuorumi sigurohet me gjashtë anëtarë. Të njëjtën ditë, në vendin e Kelmendit është emëruar Agron Qalaj.