Arbëri

Osmani: Prezenca ushtarake e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë më 1999

17 shkurti është e arritura jonë më e madhe historike, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit për Ditën e Pavarësisë.

Osmani ka mbajtur fjalimin para deputetëve të Kuvendit, ku të pranishëm ishin edhe ambasadorë. Ajo ka falënderuar në mënyrë të veçantë këta të fundit, shtetet e të cilëve ndihmuan në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

“Në mënyrë të veçantë duhet tu falënderohemi miqve tanë të lirisë. Ju ishin me ne përgjatë rrugëtimit tonë kur na mohohej çdo e drejtë, kur shtypeshim mizorisht e kur luftonim për lirinë, kur u çliruam e kur ndërtuam institucionet tona demokratike. E ju kemi pranë pa asnjë dyshim edhe sot në mbrojtje të sovranitetit, të kufijve tanë, dhe demokracisë. Aleanca jonë me SHBA-në qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë”, ka thënë ajo.

Osmani ka përmendur sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe ka nderuar emrin e heroit Afrim Bunjaku, policit të vrarë nga sulmuesit serbë atje. Ka theksuar se prezenca e Serbisë ka përfunduar në vitin 1999.

“Le të jetë e qartë, prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë në qershor më 1999, kur qiellin e Kosovës e pushtoi fryma e lirisë. Mëngjesin e 24 shtatorit djemtë e vajzat tona kanë dëshmuar përkushtim e sakrificë për të mbrojtur vendin e tyre”, ka deklaruar ajo.

Osmani është shprehur se për qytetarët ka qenë gjithmonë sakrificë bërja e shtetit, teksa ka ritheksuar rëndësinë e 17 shkurtit.

“Republika jonë po konsolidohet çdo ditë. Për qytetarët e Kosovës të kesh shtet ka qenë gjithmonë sakrificë e ideal, ky ideal i rrëmbeu zemrat shpesh edhe jetët e brezave, të etërve, nënave, motrave, vëllezërve, gjyshërve që dhanë fort për këtë tokë. Ne do ta shpijmë tutje atë. 17 shkurti sa është unike është po kaq datë e veçantë në rrafshin emocional si dita që na përbashkon rreth një kauze, dashurisë për Republikën dhe përkushtimit për ta ngritur lart emrin e saj. Sot përulemi së pari brezave që iu dedikuan lirisë”, ka përfunduar ajo.