Arbëri

Osmani për vrasjen e gruas shtatzënë: Femicidi duhet të marrë fund

Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë, e cila të mërkurën mbrëma u qëllua nga bashkëshorti, më të cilin ka qenë në proces të ndarjes, para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sipas saj ky është një tjetër krim makabër e çnjerëzor.

“Një tjetër ‘burrë’ që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës. Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. “Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj përgjigja për vrasësit duhet të jetë rendi dhe ligji.

“Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal. Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: Drejtësi!”, ka shkruar Osmani.