Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur marrëveshjen për të pagjeturit, si një prej arritjeve më të mëdha në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Osmani për “BBC” ka thënë se shpreson që Serbia të zbatojë atë që është dakorduar me deklaratë.
“Marrëveshja për të pagjeturit besoj se është një nga arritjet më të mëdha të procesit të dialogut, pasi është një nga ato marrëveshje që prek direkt jetën e njerëzve tanë. Më tepër se 1600 familje në Kosovë janë ende duke bërë çdo gjë për të zbuluar vendndodhjen e të dashurve të tyre të cilët u zhdukën dhunshëm gjatë luftës nga regjimi i Millosheviqit. Sigurisht se ne besojmë se ata janë në varre masive në Serbi, por na duhej Serbia të bashkëpunonte. Tash është kyçe zbatimi. Shpresoj që Serbia të zbatojë këto obligime që rrjedhin nga ajo Deklaratë”, tha Osmani.
Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani ka thënë se Kosova nuk i ik obligimeve, porse nuk do t’i japë Serbisë një instrument me të cilin do të mund ta cenonte funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
“Ka pasur gati 40 marrëveshje të nënshkruara në Bruksel në të kaluarën mes Kosovës dhe Serbisë. Çështja e Asociacionit ka qenë vetëm një nga marrëveshjet. Është me rëndësi të ceket se shumica e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar nga Serbia, përfshirë edhe obligimin për t’i njohur dokumentet e Kosovës. Vazhdimi për të insistuar në implementimin e vetëm një marrëveshje nga 40, nuk i ndihmon procesit, por e dëmton. Gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen. Kosova nuk po i ik obligimit. Jemi të gatshëm të japim çdo gjë të bazuar në standardet më të mirat evropiane, për të akomoduar të drejtat e serbëve. Por, jo t’i japim Serbisë një instrument nëpërmjet të cilit vazhdimisht do ta refuzojë, minojë e shkel parimet e integritetit territorial, sovranitetit e funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, tha Osmani.
Ajo është pyetur edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën në katër komunat në veri të Kosovës më 23 prill. Osmani ka thënë se bojkotimi i këtyre zgjedhjeve nga serbët në veri nuk ishte vullnetar. Ajo tha se serbët në ato zona janë nën sulm të vazhdueshëm nga strukturat kriminale të përkrahura nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Duhet t’i luftojmë bandat kriminale, të sigurohemi që qytetarët tanë në veri, pavarësisht etnisë, të ushtrojnë të drejtën e votës dhe çdo të drejtë tjetër. Kjo që ndodhi ishte ndërhyrje ilegale e huaj në zgjedhjet e një shteti tjetër”, tha Osmani.
Edhe
Osmani: Kosova nuk po e kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta
Ndërkohë Osmani ka thënë se është në interes të të gjithëve që të normalizohen marrëdhëniet Kosovë – Serbi.
“Duhet të mësojmë nga historia, se normalizimi i marrëdhënieve mund të arrihet vetëm me njohje të ndërsjellë. Por, duket e ditur se Serbia është e ndikuar nga Rusia ne duhet të kuptojmë bazuar në mësimet e mësuara nga Rusia në Ukrainë, se kënaqja e autokratëve nuk është rruga para”, tha Osmani.