Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e kënaqur që Kosova dhe Serbia miratuan javën e shkuar Deklaratën për të zhdukurit, megjithatë ka shprehur pesimizëm në zbatimin nga ana e Serbisë, duke u bazuar në të kaluarën e saj.
Në një deklaratë për BBC-në të premten në Britani ku Osmani po qëndron për ceremoninë kryesore të kurorëzimit të Mbretit Charles III, presidentja ka thënë se shpreson që me ndihmën e ndërkombëtarëve të arrihet sukses në zbatimin e deklaratës.
“Besoj se java e shkuar ka qenë e suksesshme, veçanërisht në një çështje të veçantë, që ishte miratimi i Deklaratës për personat e zhdukur, që janë zhdukur me forcë gjatë luftës. Është çështje që e kam shtyrë përpara dhe si Kosovë kemi investuar sepse kemi mbi 1600 familje që ende i kërkojnë më të dashurit e zhdukur nga lufta. Për këtë arsye llogarisim mbështetje shtesë nga Mbretëria e Bashkuar, që është ndër shtetet me rol kryesor në mbështetjen tonë. Deklarata është miratuar por zbatimi është kyç dhe fatkeqësisht Serbia s’ka të kaluar të mirë në implementim. Shpresoj që me ndihmën e aleatëve të mund t’i japim fund plagës së shoqërisë sonë dhe që nënat të kenë vend ku mund t’i vendosin lulet për fëmijët e zhdukur”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se ndihet e nderuar që përfaqëson Kosovën në ceremoninë e rëndësishme në Mbretërinë e Bashkuar. Ka thënë se Mbreti Charles III ka lidhje të veçantë me Kosovën dhe se e di që ai ka në zemër çështjen e personave të zhdukur me forcë në luftë dhe të viktimave të dhunës seksuale.
Në takimin e 2 majit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të zhdukurit. Sipas deklaratës, puna do të mbikëqyret nga një komision i përbashkët i kryesuar nga BE-ja dhe do të mbikëqyret nga Kryqi i Kuq. Gjithashtu, është kërkuar qasje e plotë në të gjithë dokumentet, incizimet dhe vende të tjera ku mund të ketë informacione për ta bërë sa më të lehtë gjetjen e të zhdukuruve nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.
-
Osmani: Shpresojmë që Deklarata do të hapë rrugën për pranimin e krimeve nga Serbia
-
Udhëheqës shtetërorë kërkojnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë
-
Osmani për BBC: Nuk do t’i japim Serbisë instrument me të cilin do ta cenonte shtetin e Kosovës
-
Mbretëria e Bashkuar bën thirrje për zbatim sa më të shpejtë të Deklaratës për të Zhdukurit
-
Osmani: Kosova ta ketë draftin e saj të Asociacionit