Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani në Mynih: Kosova mund të shihet si epiqendër e diskutimeve për gratë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Në kuadër të Panelit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Osmani diskutoi për rëndësinë e kësaj agjende përkrah zëvendëspresidentes së Kolumbisë, Francia Elena Márquez, ministres Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Svenja Schulze, dhe lideres së opozitës në Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya.

Siç njofton presidenca, Osmani foli për shembullin e jashtëzakonshëm të grave të Kosovës si bartëse dhe pjesëmarrëse aktive në procese historike në Kosovë.

“Ajo përmendi aktivizmin e pashoq të grave të Kosovë përgjatë një trajektoreje strategjike në vend, nga koha e rezistencës paqësore të viteve të 90ta, përgjatë luftës çlirimtare, si dhe të gjitha fazat e shtetndërtimit. Presidentja Osmani potencoi se gratë e Kosovës janë vetë sinonimi i Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke qenë se ato e kanë jetësuar atë ndër vite”, thuhet në njoftim.

Osmani ka përmendur edhe faktin se janë mbi 20 mijë gra të dhunuara në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Në këtë kontekst, ajo vlerësoi edhe rëndësinë e madhe që ka pasur themelimi i Komisionit për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë për të ndihmuar rikuperimin dhe trajtimin e duhur të të mbijetuarave pas përfundimit të luftës.

“Ajo theksoi që për shkak të historisë së Kosovës dhe rolit aktiv të grave ndër vite në procese të paqes dhe lirisë, Kosova mund të shihet fare lehtë si epiqendër e diskutimeve strategjike mbi Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ajo përmendi edhe rëndësinë e organizimit të Forumit të parë ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, i cili synohet të bëhet një ngjarje tradicionale me qëllim të rrjetëzimit dhe shkëmbimit të shembujve të suksesshëm të implementimit të kësaj agjende anë e mbanë botës”, thuhet në njoftim.