Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani në OKB: Gratë në Kosovë, me rol të jashtëzakonshëm në procese të paqes e sigurisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të agjendës Gratë për Paqen dhe Sigurinë në një takim të mbajtur në selinë e Organizatës së Kombeve të bashkuara, ka thënë se roli i gruas në Kosovë ka qenë i jashtëzakonshëm në procese paqeje dhe sigurie përgjatë etapave të ndryshime historike.

Ajo ka thënë se Kosova tashmë udhëheq këto përpjekje në rajon për zbatimin e kësaj agjende.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani ka thënë po ashtu se “Kosova është e gatshme të japë kontribut në nivel ndërkombëtar për zbatimin e kësaj agjende”, me ç’rast vuri në pah përpjekjet e Kosovës për të ndihmuar gratë në Ukrainë, Afganistan dhe në çdo vend ku po ndodhin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

“Më këtë rast, Presidentja Osmani foli edhe për Forumin global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet këtë vit për herë të dytë në Kosovë, si dhe paralajmëroi që Kosova do të bëhet së shpejti vendi nikoqir i qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Zyra e Sekretarit Blinken vuri në pah arritjet e Kosovës në këtë drejtim dhe punën e Presidentes dedikuar kësaj agjende, duke e quajtur Kosovën si një ndër shembujt më të mirë të këtij angazhimi”, thuhet më tej në njoftim të Presidencës.