Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se marrëveshjet e arritura të enjten në kuadër të Procesit të Berlinit do të kontribuojnë në bashkëpunimin rajonal dhe përafrimin me Bashkimin Evropian.
Osmani ka falënderuar kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe udhëheqësit e BE-së për përkushtimin e tyre ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.
“Presidentja Osmani ka potencuar se marrëveshjet për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve, do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në heqjen e barrierave administrative në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke u afruar edhe më shumë vlerat dhe praktikat evropiane të bashkëpunimit. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka falënderuar kancelarin federal të Gjermanisë, Olaf Scholz, si dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, për përkushtimin e tyre ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të mbetet palë plotësisht e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit rajonal në frymën e barabarësisë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.