Arbëri

Osmani: Lajçaku i mirëpriti shqetësimet për drafstatutin, tha se mund të akomodohen

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovës-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë folur për draftstatutin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Sipas saj Lajçaku i ka mirëpritur shqetësimit e saj lidhur me të dhe ka thënë se shumica prej tyre mund të akomodohen.

“Sa i përket çështjes së draftit të statutit të Asociacionit, siç e dini nga fillimi kur ai draft është prezantuar Republikës së Kosovës po të njëjtën ditë i kam prezantuar disa prej shqetësimeve të mia për të gjitha shtetet që kanë qenë të involvuara në hartimin e këtij drafti njëkohësisht pastaj këto komente dhe shqetësime i kam diskutuar më detajisht në takime të mëvonshme me zyrtarë të lartë të QUINT-it dhe këto i kemi diskutuar edhe dje në takimin me Lajcakun. Ai i ka mirëpritur ato dhe ka shprehur besimin që shumica dërmuese prej tyre së paku do të mund të akomodohen”, ka theksuar Osmani, në një deklarim për media pasi që ka barë homazhe te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti me rastin e 27-vjetorit të rënies së tij.

Ajo ka thënë se është e bindur që Gjykata do t’i japë drejtim kësaj çështje dhe do të eliminojë këto probleme në praktikë.

"Megjithatë unë mendoj që institucioni i cili përfundimisht do të mund të vendos për përputhshmërinë me Kushtetutë e Kosovës dhe do të mund ti japë drejtim se si mund të zbatohen në praktikë pa u shkelur Kushtetuta e Kosovës këto dispozita është vetëm Gjykata Kushtetuese e shtetit tonë dhe jam e bindur që kurdo qe ky draft pas formalizimit të marrëveshjeve pas procedurave të formalizimit të marrëveshjeve, kurdo që ky draft shkon në Gjykatën Kushtetuese në atë moment secili prej nesh si institucionet do të kemi mundësinë që të tregojmë argumentet tona pse mendojmë që dispozita të caktuara mund të krijojnë probleme dhe sfida të mëdha në praktikë gjatë zbatimit", ka theskuar Osmani.

Osmani ka thënë se është e bindur që detajet teknike do të vendosen në takim të kryenegociatorëve.