LAJMET E MBRËMJES

Osmani paralajmëron takim me opozitën për diskutim rreth draftstatutit të Asociacionit

Një takim me përfaqësues të partive opozitare paralajmëroi presidentja Vjosa Osmani, për të diskutuar lidhur me draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo, në një prononcim për media, tha se tashmë i ka të gatshme komentet për dokumentin dhe se ato do t’i dorëzojë po qe se drafti dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Presidentja Vjosa Osmani paralajmëroi takim me përfaqësues të partive opozitare për të diskutuar mbi draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë, të cilin javë më parë kryeministri Albin Kurti e pranoi nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Osmani theksoi se takimi e synon shpalosjen e shqetësimeve të opozitës për dokumentin, që këto subjekte e pranuan ditë më parë.

Ajo tha se kur drafti të publikohet nga BE-ja, atëherë do të bëhen të ditura edhe komentet që Presidenca tashmë i ka përgatitur për dokumentin.

“Në momentin që dokumenti shkon në Gjykatën Kushtetuese, siç është paraparë në vetë draft-statutin, si presidente e vendit do t’i dërgoj komentet të cilat kanë për qëllim që ky draft të eliminojë disa prej këtyre paqartësive”, ka thënë Osmani.

Krahas draftit, presidentja ka komentuar edhe mbi zgjedhjet e ardhshme në Serbi, që do të mbahen më 17 dhjetor. Ajo tha se me institucionet e sigurisë dhe në bashkëpunim me aleatët po bëhen të gjitha përgatitjet për eliminimin e çdo tentative për tensione të reja në veri. Theksoi se votime për zgjedhjet serbe në Kosovë nuk mund të ketë pa u respektuar modelet ndërkombëtare.

“Nuk ka nevojë për të tilla, pasi Kosova, sa i përket zgjedhjeve të Serbisë, ka kërkuar që të respektohen modelet më të mira ndërkombëtare. Kriteret e komisionit të Venecias, e drejta ndërkombëtar sa i përket zgjedhjeve të një shteti në një shtet tjetër. Meqenëse Serbia nuk i ka plotësuar ato kritere, atëherë janë ata që e kanë pamundësuar një proces të tillë, duke mos pranuar se këto zgjedhje janë të një shteti në një shtet tjetër”, ka deklaruar Osmani.

E lidhur me nisjen e peticionit të qytetarëve serbë në veri për largimin e kryetarëve në katër komuna, Osmani theksoi se nuk ka ende asnjë informatë zyrtare.