Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Kosova bashkë me aleatët do ta frenojë çdo sulm të mundshëm nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend dhe sulmet e mundshme nga Serbia.

Osmani shprehu besimin e plotë se “institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon”.

Sipas një komunikate për media nga Presidenca bëhet e ditur se ajo e ka falënderuar KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force si reagues i tretë, për të garantuar siguri në tërë territorin e Republikës.

Osmani e ka falënderuar në veçanti për shtimin e trupave të cilat po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit të Serbisë të 24 shtatorit.

“Presidentja Osmani në takim me komandantin Ulutaş, ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe partnerit të saj primar të sigurisë, Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë. Presidentja po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj. Ajo potencoi se bandat kriminale serbe të cilat sulmuan NATO-n fatkeqësisht akoma janë të lira dhe se pandëshkueshmëria ndaj atyre që kanë sulmuar KFOR-in në maj, është mesazh i keq dhe është inkurajim për Serbinë që të sulmojë prapë”, thuhet në komunikatë.