Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani javën e ardhshme udhëton në SHBA

Presidentja Osmani do të udhëtojë për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në varrimin e ish-Sekretares së Shtetit të Amerikës, Madeleine Albright.

Osmani do të udhëtojë për në SHBA në fillim të javës së ardhshme, ku përveç pjesëmarrjes në varrimin e ish-Sekretares Albright, do të zhvillojë edhe disa takim të tjera.

“Presidentja Osmani do të udhëtojë për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Ish-Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, ka vdekur të mërkurën e 23 marsit, në moshën 84-vjeçare, ka bërë të ditur CNN-i.

Albright ishte sekretare në kohën kur në Kosovë u zhvillua lufta. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Në nderim të punës së saj, në Prishtinë vite më parë është ngritur edhe një bust i saj.

Ajo ishte Sekretare e Shtetit në periudhën 1997-2001, kur president i SHBA-së ishte Bill Clinton.

Albright ka vizituar tri herë Kosovën, më 1999 sa ishte ende Sekretare, si dhe më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës.

“Së bashku ne u betuam se në Kosovë kurrë më nuk do të vinin natën njerëzit me pushkë; kurrë më nuk do të digjeshin shtëpi dhe fshatra, kurrë më nuk do të kishte terror dhe varreza masive. Kurrë më nuk do të ketë njerëz në Kosovë që jetojnë në frikë”, pati thënë Albright, në adresimin e saj para deputetëve kosovarë më 2005.

Albright lindi më 15 maj 1937 në Pragë. Ishte gruaja e parë që ushtroi funksionin e Sekretares së Shtetit.

Artikuj të ngjashëm