Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeminsitri Albin Kurti kanë pritur në takime të ndara ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad.
Osmani pas takimit ka thënë se i ka bërë me dije që Kosova vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të këtij vendi, veçanërisht në ndihmën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe për ofrimin e ndihmave humanitare gjatë dhe pas luftës.
Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se Osmani ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të raporteve me Katarin dhe në këtë kontekst ka përmendur fushën e mirëqenies sociale, mbështetjen për invalidët e luftës, sektorin e shëndetësisë, turizmin si dhe projekte të tjera investuese.
Në takim, thuhet se ndër të tjera u diskutua edhe për nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe eksplorimit të nismave të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë të dy shtetet.

Ajo është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku mediat janë lejuar të marrin pamje nga oborri i ndërteses së Qeverisë.