Arbëri

Osmani e Rama në Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

Presidentja Vjosa Osmani bashkë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama dhe me disa nga bizneset kosovare po qëndrojnë për vizitë në Katar, ku kanë marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Katarit, që po mbahet në Doha mbi diskutimet për potencialin investues në vend.

Zyra e Presidentes ka njoftuar se në këtë tryezë me pjesëmarrje të Odës Ekonomike të Katarit është diskutuar për mundësitë për partneritete biznesore dhe investime në sektorë strategjikë.

“Duke folur për potencialin zhvillimor të vendit, Presidentja Osmani potencoi faktin se Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Rama, thuhet se ka prezantuar planin për zhvillimin e kryeqytetit, me fokus te projektet kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit e transportit.

Gjatë tryezës ekonomike thuhet se janë vënë në pah mundësitë e shumta për partneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit.