Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias ka reaguar pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës drejtor për kanalet shqip në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas tyre zgjedhja e Gërvallës shkatërron përpjekjet e Bordit për depolitizim të transmetuesin publik.
“Shprehim keqardhje për vendimin e bordit të RTK-së për të zgjedhur Rilind Gërvallën si drejtor të televizionit. Z. Gërvalla është një aktivist i partisë në pushtet. Emërimi i tij shkatërron përpjekjet e Bordit, i cili kishte mbështetjen tonë të plotë, për të depolitizuar transmetuesin publik”, thuhet në reagimin e kësaj Organizate në Twitter.
Për zgjedhjen e Gërvallës ka reaguar edhe Rrjeti Global për Media të Pavarura IPI.
“Përparimi i bërë me vështirësi në reformimin demokratik të transmetuesit publik RTK është jetik për lirinë e shtypit dhe nuk duhet dëmtuar. IPI shpreh shqetësime në lidhje me procesin e fundit të emërimit të drejtorit të ri të televizionit, pas votimit nga Bordi”, thuhet në reagimin e IPI-së në Twitter.
Të martën edhe juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës, në pozitën e drejtorit të kanaleve shqip në RTK.
Kusari e cila e ka monitoruar procesin e përzgjedhjes, ka thënë se emërimi i tij është kapje e pjesës informative në RTK, nga pushteti.
“Aktivisti i LVV-së, Rilind Gervalla, u votua drejtor i televizionit publik të Kosovës, me tetë vota për dhe asnjë kundër. Kjo quhet kapje e pjesës informative nga partia në pushtet. Thellësisht e zhgënjyer që është humbur mundësia për depolitizimin e RTK-së”, ka shkruar Kusari në Facebook.
Bordi i RTK-së të martën ka zgjedhur Rilind Gërvallën drejtor të RTK-së për kanalet shqip (1,3 dhe 4).
Gërvalla është konsideruar aktivist i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Nga Bordi i RTK-së kanë thënë se ai nuk ka qenë pjesë e strukturave të këtij subjekti.
“Lidhur me raportimet që janë bërë, Administrata e RTK-së ka kërkuar nga subjekti në fjalë informacione nëse kandidati ka qenë pjesë e Këshillit Organizativ, apo ndonjë strukture tjetër, siç është cekur me ligj. Nga ai subjekt (Vetëvendosje v.j.) ka ardhur konfirmimi që i njëjti nuk ka qenë në këto struktura”, ka thënë për KOHËN, Besnik Boletini, kryetari i Bordit.