Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar proces të ri rekrutimi për zgjedhjen e drejtorit të televizionit të transmetuesit publik, RTK, mes dyshimeve se emërimi i Rilind Gërvallës në këtë pozitë është politik.
Sipas AGK-së, zgjedhja e Gërvallës, që konsiderohet mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik.
“Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht. Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja ka thënë se “rekomandimi dhe emërimi i tij është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht, si transparent dhe profesional”.
Ky zhvillim, siç thotë AGK-ja, do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë publikisht se do ta bojkotojë RTK-në pas zgjedhjes së Gërvallës në pozitën e drejtorit të televizioit, ndërkohë që bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës kishin kritikuar e akuzuar Vetëvendosjen për kapje të RTK-së.
Për zgjedhjen e Gërvallës, kanë reaguar edhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Vetë Gërvalla ka reaguar të shtunën duke thënë se s'është anëtar i ndonjë partie, por që ndër vite nuk ka qenë indiferent.