Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Oda e Afarizmit kërkon që pushimi i lehonisë të paguhet plotësisht nga Qeveria

Oda e Afarizmit të Kosovës e konsideron shifër alarmante 12 përqindëshin e femrave të punësuara në Kosovë.

Sipas tyre, numri kaq i vogël i femrave të punësuara në vend qëndron për shkak se bizneset nuk i marrin parasysh ato për punësim në mënyrë që mos të kenë obligim të paguajnë pushimin e lehonisë. Pas një hulumtimi të bërë lidhur me punësimin e femrave në Kosovë, OAK kërkon që Qeveria e Kosovës të marrë përsipër plotësisht pagesën e pushimit të lehonisë.

Sipas analizave që ka bërë Oda e Afarizmit të Kosovës, Kosova në shumë raste është shumë përpara vendeve të tjera me ligje, por është jashtëzakonisht prapa me implementimin e tyre dhe konflikteve në mes tyre.

Në një konferencë për media, Rreze Cana, zyrtare për komunikim me biznese, tha se shifra 12 përqind e punësimit të femrave në Kosovë, është alarmante.

“Kosova vazhdon të jetë vendi me papunësinë më të madhe në rajon, të femrave, në Kosovë vetëm 12.6 përqind të femrave janë të punësuara, dhe mund t’i cekim disa nga arsyet pse kjo përqindje është kaq e ulët, është për shkak se bizneset nuk i marrin parasysh femrat për punësim që mos me pas përsipër barrën e kompensimit të pagesës së pushimit të lehonisë dhe problem tjetër është që duhet të paguajnë dy paga për një vend pune për me marr një zëvendësim”, tha ajo.

OAK ka organizuar takime me bizneset dhe ka dalë me rekomandime, duke kërkuar që pushimi i lehonisë të paguhet plotësisht nga Qeveria.

Edhe Kërkohet që shteti ta marrë përsipër pagesën e pushimit të lehonisë Arbëri Kërkohet që shteti ta marrë përsipër pagesën e pushimit të lehonisë

“Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që si vendet në rajon dhe Evropë, që pushimi i lehonisë të paguhet plotësisht nga Qeveria, siç janë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia dhe vendet tjera, dhe Gjermania. Oda e Afarizmit të Kosovës ka bërë një hulumtim për punësimin e femrave në Kosovë dhe në rajon, dhe ka nxjerr gjendjen e rëndën në Kosovë krahasuar me rajonin, pavarësisht ligjeve të mira që i ka”, tha Cana.

Sipas Ligjit të Punës, gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70 përqind të pagës bazë, ndërsa tre muajt në vijim pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50 përqind të pagës mesatare në Kosovë.

Nga hulumtim i Odës së Afarizmit të Kosovës del se në Kosovë janë të punësuara 12.6 përqind të femrave, në Shqipëri 52.10 përqind, në Maqedoni 33.8 përqind, në Mal të Zi 43.8 përqind dhe në Serbi 40.3 përqind.