Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nxit reagime nisma e Qeverisë për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Provimin e Jurisprudencës

Përparim Gruda

Nisma për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, është përcjellë me valë reagimesh. Kryetari i këtij komisioni, e edhe ligjvënës opozitarë e organizata të shoqërisë civile, vendimin e kanë cilësuar kundërkushtetues. Pushteti e ka mbrojtur vendimin

Ka nxitur reagime vendimi i një dite më parë i Qeverisë, për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin e anëtarëve të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës dhe emërimin e anëtarëve të rinj. Vendimi është cilësuar si ndërhyrje e kundërligjshme. 

Që nga maji i vjetëm, Ministria e Drejtësisë nuk e ka organizuar provimin që, sipas ligjit, duhet mbajtur tri herë në vit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se ka pasur praktika të parregullta vlerësimi nga ana e komisionit. 

Por, kryetari i Gjykatës Supreme që është edhe kryetar i Komisionit të Jurisprudencës, Fejzullah Rexhepi, e ka mohuar këtë dhe e ka fajësuar Qeverinë për ndërhyrje. 

“Arsyet e dhëna nga ministrja e Drejtësisë, për të emëruar komisionin në përbërje të re, janë absurde dhe jo të vërteta, dhe vendimi si i tillë është joligjor dhe kundërkushtetues… Për ne ka qenë e papranueshme që të ulen kriteret e vlerësimit dhe komisioni të luajë rolin e një instrumenti në dorën e Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë Rexhepi.

Edhe sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, vendimi është i kundërligjshëm. Ky institut i bëri thirrje Kuvendit që të mos e votojë vendimin, dhe konstatoi se është i jashtëligjshëm edhe propozimi që në krye të Komisionit të vihet kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, meqë sipas ligjit, atij nuk i lejohet mbajtja e më shumë se një pozite.

“Ky vendim cenon ligjshmërinë, sigurinë juridike dhe pavarësinë e Komisionit, ndërsa ngre dyshime edhe për konflikt interesi në përbërjen e re të propozuar. IKD i bën thirrje Kuvendit që të mos e votojë këtë vendim. Kuvendi nuk duhet të legjitimojë një vendim që është marrë pa bazë ligjore dhe që cenon besueshmërinë, sigurinë juridike dhe pavarësinë e funksionimit të këtij komisioni”, thuhet në reagim.

Debat ka pasur edhe në Komisionin parlamentar për legjislacion, të martë, ku deputeti i Vetëvendosjes, Vigan Qorolli, ka thënë se komisioni i ka trajtuar kandidatët jo barabartë.

“Duke dështuar ky komision me mbajt provimin, po them në barazinë e kandidatëve dhe meritën e tyre dhe të në të gjitha shkeljet e të drejtave themelore të kandidatëve e juristëve të rinj të cilët synon me dhënë këtë provim, atëherë Ministria e Drejtësisë ka ardhur në konkludim që ky komision duhet me u ndërru se nuk funksionon kështu mos me e mbajt provimin një vit s’ka logjikë”, ka thënë Qorrolli.

E deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka theksuar se vendimi i Qeverisë është pa arsyetim. 

“Ky vendim afekton të drejta dhe liri të njeriut nëse më thua që në një vend demokratik mundesh me marrë vendim që afekton të drejtat e njeriut dhe mos me shënu asnjë fjalë arsyetim pa arsyetim kjo veç në diktaturë ndodh... Tash t’i po e paraqet po thua fjala e gojës është më e rëndësishme ne në festë nuk jemi, kjo vetëm për festë vlen fjala e gojës është për festë ne jemi organ shtetëror neve na duhet letra”, ka thënë Gruda.

Në mungesë votash, shqyrtimi dhe votimi i propozimit të Qeverisë për ndryshimin e anëtarëve të Komisionit të Jurisprudencës nuk hyri në rend dite në Komisionin parlamentar për legjislacion.