Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Norvegjia pritet ta ndihmojë Kosovën me respiratorë

Gjatë kësaj jave pritet që në Kosovë të arrijnë një numër respiratorësh që janë ndihmë nga Norvegjia, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, priti sot në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grendahl, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin midis dy shteteve në përgjigjen ndaj pandemisë Covid-19.

Zemaj e ka njoftuar Ambasadorin Grandahl për masat e Qeverisë në menaxhimin e kësaj faze të pandemisë dhe ka shprehur falënderimin e tij për kontributin që populli i Norvegjisë i ka dhënë Kosovës për ballafaqim me Covid-19.

Ai e ka informuar ambasadorin për aktivitetet e ndërmarra në tërë territorin e Kosovës me qëllim të tejkalimit të situatës rreth pandemisë.

“Ambasadori Grandahl e ka njoftuar Zemajn se në kuadër të ndihmave që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në ballafaqim me pandeminë, gjatë kësaj jave pritet që në Kosovë të arrijnë një numër respiratorësh me të cilët ky shtet do ta ndihmojë Kosovën në fuqizimin e kapaciteteve kundër Covid-19”, thuhet në komunikatë.

Bashkëbiseduesit në këtë takim kanë shprehur përkushtimin që të vazhdojnë bashkëpunimin ndërkohë që qytetarëve u kanë bërë thirrje që të zbatojnë masat e ndërmarra, në veçanti bartjen e maskave, ruajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e higjienës personale e kolektive si mënyrë për të parandaluar përhapjen e infeksionit.