Arbëri

Njohësit: Pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-ja, paralajmërim serioz për Kosovën

Vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë konsideruar si masë serioze. Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Washington, thotë se masa është shprehje e pakënaqësisë ndaj Qeverisë aktuale. E njohësi Akri Çipa vlerëson se vendimi përbën paralajmërim serioz për Kosovën dhe sinjalizon për humbjen e besimit nga aleati më i rëndësishëm ndërkombëtar i saj

Pezullimi i dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën është rezultat i pakënaqësisë dhe i frustrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Qeverinë aktuale, ka vlerësuar eksperti amerikan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Washington, Charles Kupchan.

Në intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kupchan e ka kualifikuar si çështje serioze pezullimin e këtij dialogut, pasi ka vlerësuar se rajoni ka nevojë për më shumë e jo më pak angazhim nga SHBA-ja.

“Në shumë aspekte, kjo është një shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë në Kosovë, e cila praktikisht ka qenë në detyrë që nga zgjedhjet në fillim të këtij viti. Por, po ashtu, është rezultat i një frustrimi të grumbulluar: janë dashur disa muaj për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, tani Kurti fyen Gjykatën Kushtetuese. Para zgjedhjeve, Kurti ka marrë vendime për një gamë të gjerë çështjesh - nisur nga ndalimi i dinarit serb deri tek instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri apo mosçuarja përpara e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka një perceptim të gjerë këtu në Washington dhe në Evropë, se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës”, ka thënë ai.

E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, thotë se vendimi i SHBA-së përbën paralajmërim serioz për Kosovën dhe sinjalizon për humbjen e besimit nga aleati më i rëndësishëm ndërkombëtar i saj.

“Edhe nëse argumentohet se ky ka qenë një veprim i gabuar nga ana e Washingtonit, pasojat i vuan Kosova, si dobësimin e kredibilitetit në arenën ndërkombëtare dhe ngadalësimin e proceseve të integrimit euroatlantik. Megjithatë, ka ende hapësirë për reflektim”, ka deklaruar Çipa.

Të premten, Ambasada e amerikane në Prishtinë njoftoi se do ta pezullojë dialogun strategjik të paralajmëruar me Kosovën. Sipas kësaj ambasade, vendimi është pasojë e deklaratave dhe veprimeve të Qeverisë në detyrë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.