Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Njohësit: Mungesa e unitetit e ka dobësuar opozitën dhe e ka forcuar Vetëvendosjen

LIVE: Seanca konstituive e Kuvendit

Foto: Driton Paçarada

Subjektet politike në opozitë nuk kanë dalë me alternativë të përbashkët për çështjen e presidentit, duke dobësuar ndikimin e tyre dhe duke ia lehtësuar pozitën Lëvizjes Vetëvendosje.

Mungesa e bashkëpunimit mes partive opozitare ka minimizuar rolin e tyre politik dhe ka krijuar komoditet për Vetëvendosjen, sipas njohësve të çështjeve politike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë ofruar asnjë propozim, as ndaras e as bashkërisht, për emrin e presidentit të ardhshëm.

Sipas njohësit të çështjeve politike, Basri Muja, opozita nuk ka arritur të gjejë gjuhë të përbashkët për shkak të dallimeve dhe interesave të ndryshme, ku disa favorizojnë zgjedhjet e reja dhe të tjerat stabilitetin institucional.

“Fatkeqësisht në këtë fazë opozita nuk është duke u sjellë si një bllok i bashkuar, i cili në situatën aktuale do të mund të ishte një aktor i rëndësishëm. Kjo tregon jo vetëm për dallime programore e konceptuale, por kjo tregon më shumë edhe për kalkulimet e tyre sepse disa janë më të zëshme për të shkuar në zgjedhje dhe disa sigurisht që e preferojnë stabilitetin dhe vazhdimin e këtij mandati”, ka thënë Muja.

Ai thekson se opozita nuk po vepron si një bllok i bashkuar dhe kjo reflekton jo vetëm dallime programore, por edhe kalkulime politike të brendshme.

Analisti Afrim Kasolli vlerëson se opozita është dashur të ofrojë një kandidaturë konsensuale, ndërsa shton se ajo ka dëmtuar çdo kauzë të përbashkët duke negociuar ndaras me Vetëvendosjen dhe duke përjashtuar AAK-në.

“Opozita në rastin e temës së presidentit e ka shkatërruar çdo kauzë të përbashkët opozitare sepse subjektet parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë pajtuar që veçmas dhe ndaras nga njëra-tjetra të negociojnë me Albin Kurtin për temën e presidentit, madje duke e përjashtuar edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu një parti parlamentare”, ka thënë Kasolli.

AAK-ja ka kërkuar unifikim të opozitës për këtë çështje, ndërsa PDK-ja ka paralajmëruar mbledhje për të formalizuar qëndrimet e saj, kurse LDK-ja ka theksuar se zgjidhja mund të vijë vetëm përmes marrëveshjes me Vetëvendosjen.

Ndërkohë, kanë mbetur edhe 30 ditë për zgjedhjen e presidentit dhe takimet mes përfaqësuesve të partive ende nuk kanë nisur.