Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Njëherë pandemia, tash rinovimi – studentët e Filologjisë në mësim online

Pandemia nuk është shkak që studentët e Filologjisë që nga dhjetori janë duke i ndjekur studimet në distancë. Ata nuk kanë qasje në salla, meqë në to janë duke u bërë rinovime. Studentët ankohen se në kohë provimesh i kanë të domosdoshme konsultat fizike e në dekanat thanë se sallat do të jenë të gatshme brenda dhjetë ditësh.

Studentët e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës që nga 13 dhjetori janë duke i vijuar ligjëratat online. Shkak nuk janë masat kundër Covid-19, por rinovimi i sallave.

Ndonëse e mirëpresin përmirësimin e kushteve në ambientet e Fakultetit, studentët thonë se nuk ishte koha e duhur që të bëheshin rinovimet, tani kur koha e provimeve po afrohet dhe nevoja për mësim e konsultime fizike është më e madhe.

“Duke marrë parasysh që rinovimi është bërë në kohën e fillimit të ligjëratave ka qenë edhe semestri i parë edhe koha e provimeve, është dashur të jemi më të përgatitur. Ka ndikuar pak negativisht se mbajtja e ligjëratave online është edhe një mangësi e ligjërimit në fakultet dhe për këtë arsye mendoj që rinovimet kanë mundur të bëhen në një kohë kur ne nuk kemi qenë në Fakultet e jo pikërisht në kohën më të rëndësishme kur ne do të duhej te ishim të përgatitur”, ka thënë studentja e letërsisë, Lorenta Ibraj.

Në Fakultetin e Filologjisë janë zhvilluar dy lloj rinovimesh.

Disa salla janë rinovuar pjesërisht nga mjetet e UP-së, si në të gjitha njësitë e tjera akademike dhe kanë përfunduar në dhjetor të vitit 2021. E punimet e tashme janë investime të organizatës qeveritare turke, TIKA dhe realizohen në bashkëpunim me Fakultetin e Filologjisë.

Dekania e këtij Fakulteti, Linditë Sejdiu Rugova, tha se punimet do të kryhen brenda dhjetë ditësh dhe se janë të gatshëm për fillimin e semestrit veror fizikisht.

Edhe Filologjiku shkurton orarin e ligjëratave në mungesë të ngrohjes në salla Arbëri Filologjiku shkurton orarin e ligjëratave në mungesë të ngrohjes në salla

“Punimet e realizuara nga TIKA tashmë kanë përfunduar dhe ndonjë detaj i vogël që ka mbetur kryhet deri në fund të kësaj jave më së largu. Nga nesër fillon pastrimi i inventarit në korridor, kryesisht te Turqishtja në katin e parë. Periudha e punimeve nga ana e donatorëve nuk është e varur nga ne, por nga procedurat kontraktuese që i kanë bërë ata”, ka thënë ajo.

Prej dhjetorit të vjetëm kur kanë nisur punimet, mësimi është mbajtur me grupe të mëdha online, ndërkaq dekania ka bërë të ditur se me disa grupe të vogla, por edhe provimet e kolokviumet, janë mbajtur në formë fizike.

Në periudha të ndryshme përgjatë dy vjetësh, universitetet dhe shkollat kanë vijuar mësimin në distancë, shkaku i pandemisë.