Arbëri

Bërlloku mbulon hapësirat akademike, studentët fillojnë pastrimin e fakulteteve

Mungesa e higjienës në hapësirat akademike për shkak të grevës që janë duke zhvilluar punëtorët teknikë, sipas profesorëve dhe studentëve, ka vështirësuar mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ata kanë kërkuar nga Rektorati që të gjejë një zgjidhje për ndërprerje të grevës. E disa studentë, të mërkurën kanë nisur vetë të pastrojnë

Greva e punëtorëve teknikë në Universitetin e Prishtinës, të angazhuar nga kompanitë private, ka bërë që hapësirat e fakulteteve të mbushen me bërllok.

Punëtorët teknikë dhe sigurimi fizik janë në grevë që dy javë me kërkesën për rritje të pagave.

Mungesa e higjienës në hapësirat akademike, sipas personelit, ka vështirësuar mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“E ka vështirësuar punën pasi ambientet janë johigjienike për të punuar e qoftë edhe me mbajtë mësim në ndonjë kabinet. Rrjedhimisht ambientet johigjienike e kanë bërë që puna të jetë më e vështirë edhe për studentët edhe për profesorët”, ka thënë Alban Zeneli, profesor në Fakultetin e Filologjisë.

Disa studentë në Fakultetin e Filologjisë u mobilizuan të mërkurën për t’i pastruar vetë sallat. Por ata u akuzuan nga kryetari i Sindikatës të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, se janë duke ndërhyrë në grevën e punëtorëve.

Studentët e mohuan këtë, duke thënë se i përkrahin kërkesat e grevistëve.

“Ne absolutisht nuk jemi kundër grevës, për faktin se e dimë që i kanë pagat e ulëta, por ne për momentin kur jemi duke studiuar dhe vijmë në fakultete pesë ditë në javë dhe me qëndruar në atë gjendje të pluhurosur dhe të shohim dyshemenë me bërllok, atëherë nuk patëm zgjidhje tjetër përpos të fillojmë të pastrojmë”, ka thënë Naim Kryeziu, student në Fakultetin e Filologjisë.

Studentët dhe stafi i kanë bërë thirrje Rektoratit që t’i realizojë kërkesat e grevistëve në mënyrë që situata t’i kthehet normalitetit.

“Pasi është kompani e kontraktuar nga UP-ja, ne i bëjmë thirrje rektoratit që sa më shpejt të bëjmë një zgjidhje që të vazhdojnë punëtorët teknikë me pastrimin e sallave dhe t’i rrinë gati këtyre sallave me pastrimin e tyre”, ka deklaruar Naim Kryeziu, student në Fakultetin e Filologjisë.

“Si person që punoj në Universitetin e Prishtinës i bëj thirrje kompanisë dhe universitetit, kushdo që është përgjegjës, të merret me kërkesat e punëtorëve që greva të ndërpritet meqë e vështirësojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor”, ka shtuar Zeneli.

Në Rektorat kanë përsëritur se nuk kanë buxhet për t’i realizuar kërkesat e punëtorëve teknikë.

Tenderi i ri për pastrim e mirëmbajtje është hapur në muajin shkurt dhe kap vlerën e 3 milionë eurove. Paga për këta grevistë parashihet 320 euro, e kërkesa e tyre është që të paguhen 400 euro neto.