Me kërkesën për rritje të pagës mbi 400 euro, kanë hyrë në grevë punëtorët teknikë në Universitetin e Prishtinës, të angazhuar nga kompanitë private. Një kërkesë të tillë në Rektorat thanë se nuk kanë mundësi ta realizojnë. E, kryesindikalisti i punëtorëve privatë, Jusuf Azemi, tha se nuk do të zmbrapsen nga kërkesa
Disa nga hapësirat e objekteve të Universitetit të Prishtinës (UP) nuk u pastruan të mërkurën, pasi punëtorët teknikë të angazhuar nga kompanitë private kanë hyrë në grevë me kërkesën për rritje të pagës.
Grevën e kanë filluar që nga e premtja, por të mërkurën e kanë intensifikuar duke mos punuar fare, meqë, siç thonë ata, kërkesa e tyre nuk u mor parasysh.
Atifete Makolli, punëtore teknike në objektin e Fakultetit të Filologjisë, ka thënë se ata gjithmonë janë shkelur e nuk janë trajtuar mirë.
“E kam pasur rrogën 78 euro në atë kohë, e për qatë kohë që 22 vjet e kam 250 euro. Tash llogarite sa ka mbërritur deri këtu paga jonë. Për ne stafin civil, sidomos për ne të pastrimit shumë shumë dobët. Nuk e di se si po ia dalim me këtë pagë”, ka thënë Makolli.
Edhe Bukurije Krasniqi që punon si teknike në objektin e Fakultetit të Edukimit, ankohet për kushte të vështira që kanë në punë. Ajo thotë se me një pagë prej 257 eurosh nuk mund të jetohet mirë askund.
“Problemi më i madh është që janë rrit çmimet dhe nuk po del kurrgjë hiç, bash kurrgjë hiç, veç disa gjëra elementare që mundesh me i marrë me këtë rrogë e asgjë tjetër”, ka thënë Krasniqi.
E Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se punëtorët teknikë nuk do të pranojnë pagë nën 400 euro.
“A do të vazhdohet a do të ndalet kjo grevë, është mirë me e pyet rektorin sepse ne e kemi gjithçka të qartë: pa u plotësuar kërkesat tona ne do të qëndrojmë këtu dhe nuk kemi lëvizje assesi sepse po them nuk jemi ata që kemi qenë para dy vitesh kur na kanë thënë ‘nëse dëshiron me punu punoni, nëse nuk do shkoni’”, ka thënë Azemi.
Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës nuk dhanë shpresë se do të realizohet kërkesa e punëtorëve teknikë. Në këtë institucion kanë thënë se nuk ka buxhet, meqë parashihet rritje e stafit për shkak të ndërtimit të objekteve të reja.
“Parashihet numër shtesë i nëpunësve dhe i orëve shtesë të shërbimit, si reflektim i rritjes së hapësirave të jashtme dhe të brendshme fizike, sikurse edhe shtim i pikave për roja. Prandaj edhe këta parametra nuk kanë lënë hapësirë për ngritje më të madhe të lartësisë së minimumit të pagës bruto, pasi kjo do të ndikonte pastaj në rritjen edhe të vlerës së parashikuar të kontratës”, theksohet në përgjigjen e Rektoratit.
E, kryesindikalisti Azemi ka njoftuar se në grevë janë edhe punëtorët e sigurimit fizik të hapësirave të Universitetit Prishtinës dhe ata të Qendrës së Studentëve, që gjithsej janë 262 punonjës.