Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Një pjesë e lagjeve “Dardani” e “Lakrishte”, pa ujë nga dje

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se një pjesë e lagjes Dardania dhe lagjes Lakrishte, do të mbesin pa ujë të pijshëm deri në orët e paradites të së shtunës.

Një ditë më parë është raportuar se në lagjen Lakrishte ka pëlcitur një gyp i ujit, i cili ishte dëmtuar vetvetiu.

“Të nderuar konsumatorë, fillimisht kërkojmë ndjesë dhe ju njoftojmë për zonat që do mbesin pa furnizim me ujë të pijshëm deri ditën e nesërme në orët e paradites : Dy hyrje banesore në lagjen " Dardania" ( hyrjet mbi orën e kurrizit), soliteri në lagjen " Lakrishte" dhe ndërtesat e ulëta në anën e majtë të Procredit Bank. Të gjitha zonat e tjera të cekura në njoftimin paraprak, tashmë kanë furnizim me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit.

Sipas njoftimit të premten, arsyeja e shtyrjes së gjysmës së punimeve në sanimin e linjës AC me diametër 200 mm, është rrezikshmëria nga shembja e dheut për punëtorët e mirëmbajtjes, për shkak të thellësisë së madhe të pozicionimit të gypit.

“Punimet vazhdojnë nesër në orët e mëngjesit”, përfundon njoftimi.