Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nisma Socialdemokrate shkëput koalicionin me Vetëvendosjen në Prizren

Foto: Koha / ilustrim

Nisma Socialdemokrate përmes një komunikate për media bën të ditur se ka dalë nga koalicioni qeverisës në Prizren.

Nisma ka dhënë arsyet e daljes nga ky koalicion, duke thënë se Nisma në Prizren, sikurse deri sot në pushtet edhe në opozitë do të vazhdoi të mbetet e sinqertë, korrekte, besnike me partner dhe bashkëpunëtor, si dhe në shërbim të qytetarëve.

Kryetarin Mytaher Haskuka, Nisma e ka quajtur infantil politik.

“Veprimet prej një infantili politik të z.Mytaher Haskuka dhe komunikimi përmes rrjeteve sociale në raport me Nismën Socialdemokrate dega në Prizren si partner i koalicionit, angazhimi i të cilës në zgjedhjet lokale ishte vendimtar që ai të jetë i pari Prizrenit, nga sot e bënë të pamundur qeverisjen me të”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj dege të partisë së Fatmir Limajt, “arsyetimi për veprimin e tij fëmijëror veç se e vërteton atë që ne dhe qytetarët, ka kohë që kemi filluar ta kuptojmë se Prizreni ka kryetar një person që nuk është vetvetja dhe që menaxhohet e dirigjohet nga ‘komisar politik’ të cilët nuk i bëjnë nder kulturës politike dhe institucionale të qytetit tonë”.

“Konkursi i fundit në DKA që udhëhiqej nga z. Gani Gërmizaj ishte në përputhje me Ligjin e Arsimit Parauniversitar, Ligjin e Punës si dhe U.A 07/2017, prandaj për dilemat që janë shfaqur lidhur me këtë proces është kërkuar opinion nga MASHT-ti dhe MPMS, të cilat i kanë dhënë opinion pozitiv në vazhdimin e procesit të konkursit drejtorit Gërmizaj”, thuhet në reagimin e degës që drejtohet nga ish-deputeti Zafir Berisha.

Edhe Nisma prish koalicionin me VV-në në Prizren, por mban në qeverisje dy drejtorë Arbëri Nisma prish koalicionin me VV-në në Prizren, por mban në qeverisje dy drejtorë

“Presionet dhe kërkesat e jashtëligjshme lidhur me konkursin, nga Mytaher Haskuka dhe klanit që e rrethon, që z.Gërmizaj të ndikojë te komisionet për llogari të personave që nuk i plotësonin kushtet dhe nuk kishin përgatitje profesionale ishte i papranuar për përfaqësuesin e Nismës Socialdemokrate z.Gani Gërmizaj, sepse ai aty ishte që të respektonte ligjin dhe më të mirët e jo të plotësonte dëshirat e sëmura të individëve të papërgjegjshëm”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas Nismës Socialdemokrate në Prizren, drejtori i DKA-së në Prizren Gani Gërmizaj ka pasur mendim ndryshe nga Haskuka, “i cili për afër 1 vit jashtëligjshëm i mbanë 5 Ushtrues Detyre të drejtorëve në shkolla, po ashtu ai nuk është pajtuar që ata të jenë pjesë e komisioneve përzgjedhëse për rekrutimin e punëtorëve të arsimit të dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe shumë tjerë të cilët janë nëpër procese gjyqësore, e që për fatin e keq, për z.Haskuka nuk paraqesin ndonjë problem”.

“Nisma Socialdemokrate dega në Prizren mendon se kandidatët që janë nënshtruar procedurave të konkursit në DKA dhe komisionet i kanë vlerësuar, të hënën duhet të dalin dhe t’i hapin dyert e shkollave dhe t’i presin nxënësit, një numër i madh i tyre me shumë gëzim presin të ulen për herë të parë në bankat shkollore e për të cilën Mytaher Haskuka dhe klani i tij as që e kanë idenë se çka d.m.th kjo”, thuhet në njoftim.