Arbëri

Nis grumbullimi i mbeturinave në Ferizaj, kompania thotë se nuk do të ketë më telashe

Menaxhimi me mbeturinat në Komunën e Ferizajt i ka dalë duarsh kompanisë “Pastërtia”. Ka rreth një muaj që si në qytet ashtu edhe në fshatra është krijuar kaos mbeturinash. Kjo pasi Kompania Rajonale për Mbeturina kohëve të fundit ka pasur telashe të mëdha si me makineritë e vjetra ashtu edhe me sabotimin e punës nga punëtorët. Banorë të Ferizajt theksojnë se nëse vazhdon kjo situatë do t’i mbledhin vetë mbeturinat dhe nuk do të japin përgjegjësi se ku do t’i hedhin ato.

“Qe tri javë ditë rend nuk kanë ardhë me marrë, bërlloku ka qenë i shtrimë përtokë.. me të vërtetë ka qenë mjerim për fshatarët, mjerim, me e pa në shekullin 21 bërllokun çka është bërë prej qenve”, është shprehur Danush Hyseni, banor i Komunës së Ferizajt.

Qytetarët kanë ngritur edhe dyshime të tjera se pse nuk është menaxhuar nga Bordi i Kompanisë që të kryhet ky shërbim me javë të tëra. Ata i kanë thënë KOHËS se kompania “Pastërtia” po neglizhon mbledhjen e mbeturinave për shkak të një borxhi prej 41 mijë eurosh të cilin Komuna ende nuk ia ka paguar kompanisë. Por drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Ferizajt, Arben Halili, i ka thënë KOHËS nëpërmjet telefonit se fatura të cilën ia kanë borxh kompanisë nuk ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave.

Ndonëse një javë më parë në këtë kompani u pezullua puna për shkak të një greve njëditore të punëtorëve, kryeshefi i saj, Basri Syla, thotë se nuk do të lejojë që puna të ndalet për shkak të tendencave politike të grupeve të caktuara.

Ai ka njoftuar se që nga e hëna ka nisur puna me orar të rregullt dhe nuk do të ketë më probleme.

“Pas një periudhe e cila ka qenë për shkak të defekteve të mëdha që kemi pasur me makinerinë e rëndë pas evitimit të tyre, nga sot kemi filluar me orar të rregullt. Kemi punuar në kohë 24 orë pandërprerë për ta evituar grumbullimin i cili ka qenë para dy javësh ose tri nëse nuk gabohem”, ka thënë ai.

Megjithatë, Kenan Gashi nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Avonet”, thotë se telashet për më shumë se një muaj me bërllokun në Ferizaj kanë ardhur si pasojë e paaftësisë së menaxhimit të kryeshefit e Bordit të kompanisë.

“Një thellim i problematikës së vazhdueshme që ka kjo kompani është keqmenaxhimi total që nuk ka mundur të menaxhojë në mënyrë të duhur edhe të hyrat, por edhe duke mos krijuar strategji në nivel të kompanisë si borxhet ashtu edhe formën se si duhet të menaxhohet edhe mekanizmi i tyre, resurset e tyre”, ka deklaruar Gashi.

Kompanisë “Pastërtia” në Ferizaj qytetarët i detyrohen me rreth 6 milionë euro borxhe.