Arbëri

Ferizaj në hall me mbeturinat, punëtorët e “Pastërtisë” sabotojnë punën

Qytetarët e Ferizajt e të fshatrave përreth po ankohen se me javë të tëra nuk po kryhet shërbimi i mbledhjes së mbeturinave nga kompania regjionale për mbeturina “Pastërtia”. Kjo pasi kohëve të fundit punëtorët e kompanisë kanë nisur ta sabotojnë punën, gjë për të cilën kompania e Drejtoria për Shërbime Publike në Ferizaj kanë dhënë arsye të ndryshme

Ecjes nëpër qytetin e Ferizajt përveç vapës i është shtuar edhe kundërmimi i tepruar i mbeturinave. Kontejnerët e stërmbushur me bërllok janë rrethuar me qese të zeza plastike të cilat vende-vende janë shqyer nga qentë endacakë që kërkojnë ushqim. Plehrat nga këta kosha ka me javë që kanë mbetur pa u zbrazur pasi që kompanisë regjionale për mbeturina “Pastërtia” i ka dalë problem me punëtorët. Në muajt e fundit ata kanë nisur ta sabotojnë punën, pasi që, siç ka marrë vesh KOHA, të njëjtit përveç që po duan paga më të larta, u është vonuar edhe ajo që kanë me kontratat në fuqi.

Mirëpo për “grevën” e këtyre punëtorëve kryeshefi i kompanisë “Pastërtia” e drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Ferizajt kanë dhënë arsye të ndryshme.

Mbeturina pa u mbledhur përveç Ferizajt kanë mbetur edhe në shumë fshatra përreth si në Zllatar, Mirosalë e Dardani. Banorët e fshatit Dardani të Ferizajt ankohen se kryesisht në muajt e fundit KRM “Pastërtia” nuk po i kryen me rregull shërbimet e saj. Florim Jahiu, banor i këtij fshati, thotë se qe dy javë bërlloku i grumbulluar ka mbetur para derës së shtëpisë dhe ende nuk është marrë nga kompania. Ai shprehet i zhgënjyer që paguan shërbime të cilat nuk i merr.

“Nuk e di ku është problemi, por qe dy javë nuk e kanë marrë bërllokun. Po kemi probleme shumë, era po i vjen, s’po mund të rrimë as brenda. Siç kanë thënë, problemi është që s’i kanë marrë rrogat punëtorët e për këtë arsye nuk e kanë mbledhë bërllokun”, ka thënë Jahiu.

E Xhevat Hasimi që jeton në mërgim shprehet se prej që ka ardhur në pushime në Dardani kompania nuk ia ka marrë mbeturinat për të cilat ai thotë se paguan paraprakisht për tërë vitin.

“Ashtu siç është e rregulluar, këta vijnë çdo të hënë por kohëve të fundit me javë nuk e kanë marrë, a për pagesë ishin shumë të saktë”, ka thënë Hasimi, derisa ka shtuar se kundërmimi është bërë i padurueshëm e, edhe më keq, sipas tij, mbeturinat po shpërndahen gjithandej nga qentë endacakë.

Sipas qytetarëve dhe asaj që i është thënë KOHËS përmes burimeve, shërbimi për mbledhjen e mbeturinave nuk po kryhet nga kompania për shkak se punëtorët janë në grevë.

E zëvendëskryeshefi i KRM “Pastërtia”, Naim Nuhiu, ka konfirmuar se ka pasur sabotime të punës porse, sipas tij, arsyeja është kundërshtimi i punëtorëve që të operojnë me makinerinë e vjetër, të cilën e posedon kompania.

“Ka pasur tendenca për grevë diku muajt e kaluar, dje kemi pasur një sabotim të vogël të punës por, siç ju tregova, ka qenë për arsye të makinerisë pasi që nuk kemi mundur ne si kompani që të jemi të përgatitur dhe të kemi të gjitha mjetet e gatshme dhe funksionale në tërësi për të kryer punë, kështu që punëtorët kanë refuzuar të dalin në punë në kushtet që kanë qenë për momentin”, ka thënë Nuhiu.

Ndryshe nga Nuhiu, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Ferizajt, Arben Halimi, i ka thënë KOHËS nëpërmjet telefonit se greva e punëtorëve e zhvilluar të hënën ka qenë për tjetër qëllim. Ai thotë se punëtorët pa arsye kanë hyrë në grevë për vonesë të pagave, ngase e njëjta, sipas tij, gjatë kohës që nuk kanë punuar u është transferuar në llogaritë bankare.

Qytetarët kanë kërcënuar se nëse vazhdon kjo papërgjegjësi nga kompania, nuk do të paguajnë për shërbimet.