Arbëri

Palokaj: Kosova e parëndësishme për Brukselin, është lënë anash në procesin e integrimit

Augustin Palokaj

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se Kosova është lënë anash në procesin e integrimit Evropian, duke shtuar se kjo bën që të jetë e parëndësishme për Brukselin.

Palokaj ka shtuar në “Konfront”  të KTV-së se Kosova është lënë jashtë, pasi edhe formalisht nuk është pjesë e proceseve.

“S’ka shqetësim për Kosovën pasi s’ka edhe interesim të madh. Pritjet s’janë që Kosova në një variant të ketë qeveri stabile, e cila do të ketë fuqinë të ndërmarrë hapa që bashkësia ndërkombëtare i konsideron jo edhe të lehta”, ka thënë Palokaj.

Ai shtoi edhe Bashkimi Evropian e ka të paqartë se çka po ndodh në Kosovë në aspektin politik.

“Kosova është lënë anash dhe jashtë, formalisht nuk është në procese. Kërkesa për anëtarësim në BE s’është shqyrtuar dhe s’ka  gjasa që në një të ardhme të afërt të shqyrtohet”, ka thënë Palokaj.


Sopi: Po të ishim seriozë si shtet, tashmë do të ishim në NATO

Analisti politik, Agim Sopi, ka deklaruar se po të ishte Kosova shtet serioz, do të inkuadrohej në NATO.

Ai ka thënë të enjten në “Konfront” se klasa politike prej pasluftës s’është krijuar në platforma shtetndërtuese.

“Janë krijuar grupe interesi. Kështu vazhdojnë të funksionojnë qe 25 vjet. Ky është problemi i madh i vendit...Janë 2-3 shtylla esenciale që e mbajnë shtetin. Ato janë sistemi politik...krijimi i sigurisë së shtetit dhe energjia”, ka thënë Sopi.

Ai ka shtuar se pavarësisht raporteve politike, Kosova do të ishte në NATO.

“Po të ishim seriozë, pavarësisht raporteve politike...do të ishim në NATO”, ka thënë ai.


Koci: Vetëvendosje po e shfrytëzon vakumin kushtetues

Melazim Koci, ish-kryeredaktor i REL-it, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po e shfrytëzon vakumin kushtetues.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Koci ka thënë është I habitur se si nuk po adresohet kjo çështje, sidomos nga politikanët. 

Ai ka përmendur një nen të Kushtetutës, i cili sipas tij ia jep të drejtën një partie që të propozojë, por nuk tregon edhe afat për krijimin e shumicës. 

“Situata e krijuar në Kosovë aktualisht është kombinim i dy-tre faktorëve. Është pasojë e mungesës së polarizimit të thellë në shoqërinë kosovare, mungesës së komunikimit të partive politike, por duhet qenë të sinqertë se është edhe një problem në Kushtetutën tonë që është duke u shfrytëzuar nga klasa politike, kësaj radhe nga Vetëvendosja, konkretisht neni 67 i Kushtetutës dhe pak jemi habitur se nuk adresohet kjo çështje, sidomos nga politikanët. Fakti që në nenin 67 jepet e drejta që një parti të propozojë, por nuk zbërthehet nëse ajo parti nuk arin ta krijojë shumicën dhe sa është ajo kohë që e ka në disponim dhe përderisa ne nuk kemi zbërthim të atij neni, Vetëvendosja në këtë rast është duke e shfrytëzuar vakumin juridik, kushtetues. Po të mos ishte ajo, ne nuk do të kishim këtë bllokadë”, ka thënë ai. 


Nikaj: Është abuzim të thuhet se krizë ka veç në Kuvend, është e përgjithshme

Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka thënë se është abuzim të thuhet se ka krizë vetëm në Kuvend. 

Sipas tij, Kosova është në një krizë të përgjithshme politike të të gjitha institucioneve. 

“Ka një pasaktësi të plotë në deklaratat e qeveritarëve tanë sepse Kosova ka krizë politike të përgjithshme. Qeveria në detyrë është qeveri pa legjitimitet demokratik tanimë sepse zgjedhjet demokratike të 9 shkurtit kanë prodhuar këtë parlament që kemi sot. Të mendohet se kemi krizë në Parlament përderisa qeveria është në një situatë të mirë, është një abuzim me diskursin e përgjithshëm publik, por nuk është e vërtetë. Kosova është në një krizë të përgjithshme politike të të gjitha institucioneve dhe kjo krizë politike është urgjente sepse kanë kaluar tre muaj e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve dhe në ndërkohë Kosova ka nevojë për qeverisje që është në gjendje të marrë vendime legjitime, të propozojë ligje legjitime, të aprovojë marrëveshje ndërkombëtare dhe të bëjë hapa përpara për t’i adresuar problemet me të cilat po përballemi”, ka thënë ai.