Ditëve të fundit në Kosovë kanë nisur të rriten shifrat e të infektuarve me COVID-19.
Ndonëse krahasuar me vendet e rajonit, Kosova qëndron më së miri me numra, duket se këta të fundit dita-ditës po rriten.
127 raste janë regjistruar në vend nga e hëna në të dielën, gjithmonë duke iu referuar shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkaq përgjatë këtyre ditëve, 3 persona kanë vdekur pas infektimit me COVID-19.
Ditëve të fundit, numri i rasteve pozitive ka qenë pothuajse gjithnjë më i madh se numri i personave të shëruar. E aktualisht në nivel vendi janë 439 raste aktive, ndërkaq komuna me më së shumti raste aktive është Prishtina me 105 të tilla.
E, vendet fqinje të Kosovës janë duke regjistruar numër të madh të rasteve të vdekjeve dhe infektimeve me COVID-19.
Mesatarja e vdekjeve ditore në të katër shtetet e rajonit sillet prej 5.43 në Mal të Zi si më e ulëta e deri te 62.57 në Serbi si më e larta. Të dhënat janë siguruar nga uebfaqja e specializuar për statistika “Our World in Data”. Po ashtu, përderisa në Kosovë mesatarja e rasteve ditore në javën e fundit sillet afër 17, në katër shtetet e rajonit më e ulëta është ajo në Maqedoni me 378. Serbia vazhdon të ketë rreth 6600 raste ditore mesatarisht, në javën e fundit. Në Shqipëri po regjistrohen mesatarisht 531 raste të reja në ditë e 6.57 vdekje.
Edhe
6 vjet nga rasti i parë me Covid-19 në Kosovë, mbi 276 mijë raste pozitive, 3238 të vdekur
Sa i përket vaksinimit, gjithmonë referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri total i vaksinave të administruara në Kosovë është 1567661, numri i vaksinave të dhëna sot është 196, numri i të vaksinuarve me dozën e parë është 117723, numri i të vaksinuarve me të dy dozat është 724969.
Kosova vazhdon ende t’i mbajë masat për parandalim të shpërndarjes së koronavirusit. Në vend mund të futet çdo person i cili posedon certifikatë të vaksinimit me dy dozat; test PCR; dëshmi se e ka kaluar virusin jo më larg se gjashtë muaj; test të shpejt antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë. Shtetasit e Kosovës, që hyjnë nga vendet tjera, nëse s’i posedojnë ndonjërën nga këto dëshmi, duhet të vetizolohen për 7 ditë. Përjashtim nga këto kërkesa bëjnë personat që hyjnë e largohen nga Kosova për tre orë, transportuesit profesionistë, shtetasit e Kosovës që kanë dalë nga vendi në 12 orët e fundit dhe ata që e shfrytëzojë Kosovën si vend transit. Gjithashtu orari i lëvizjes është i kufizuar nga ora 12 pas mesnatës deri në orën 5 të mëngjesit, ndërkaq bartja e maskës vazhdon të jetë obligative.