Ngërç është krijuar edhe në tenderin për pajisjen e deputetëve me laptopë. Në Organin Shqyrtues të Prokurimit sërish është kontestuar ligjshmëria e procesit të prokurimit, nëpërmjet të cilit Kuvendi e shpalli fitues një grup biznesesh
Është ankimuar sërish në Organin Shqyrtues të Prokurimit vendimi i Kuvendit, që tenderi për furnizimin e deputetëve të rinj me laptopë t’i jepet grupit të njëjtë të bizneseve edhe pas kthimit të aktivitetit të prokurimit në rivlerësim.
Kompania “Aritech” është ankuar se për herë të dytë Kuvendi e zgjodhi grupin e bizneseve EGS dhe Pattern në mënyrë të kundërligjshme, pasi ua dha mundësinë këtyre operatorëve që tek në sqarimet shtesë ta tregojnë brendin dhe performancën e laptopëve.
Sipas kontratës, laptopët e deputetëve të legjislaturës së re do të kushtojnë 90 mijë euro.
Në ankesën që është dorëzuar në OSHP, është thënë se Kuvendi e shkeli ligjin.
“Ne theksojmë se vendimi i autoritetit kontraktues është një veprim i kundërligjshëm dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Prokurimin Publik dhe rregulloren përkatëse. Rivlerësimi i bërë nuk është kryer mbi bazën e kritereve objektive dhe të barabarta të vlerësimit, por është mbështetur në sqarime të mëvonshme dhe të paautorizuara, në kundërshtim me parimin e paraqitjes së plotë të dokumentacionit gjatë ofertimit”, thuhet në ankesën e “Aritech”.
Në mars, grupi i operatorëve EGS & Pattern u përzgjodh nga Kuvendi për kontratë pa i plotësuar kriteret, përkatësisht pa e treguar as brendin dhe as performancën e laptopëve.
Këtë e ka konstatuar OSHP-ja, e cila në maj e ka kthyer tenderin në rivlerësim.
“Gjykata e tenderëve” i pati kërkuar Kuvendit që gjatë rivlerësimit ta aplikojë nenin 72 të Ligjit për Prokurimin Publik, për t’i kërkuar sqarime shtesë të njëjtit grup të operatorëve.
Mirëpo, sipas nenit 10 të Udhëzuesit për Prokurim Publik, oferta e dorëzuar pa bashkëngjitur specifikacion teknik të detajuar, duhet të refuzohet pa kërkuar sqarime shtesë.
Duke u bazuar në këtë, në ankesë i janë bashkëngjitur OSHP-së disa vendime të saj për raste të ngjashme, që i ka shpallur të papërgjegjshme ofertat kur operatorët nuk i kanë bashkangjitur specifikimet teknike.
Sipas tyre, rivlerësimi është zhvilluar në mënyrë jo të drejtë dhe selektive.
Por në Kuvend nuk i komentuan pretendimet e ankuesit për shkelje ligjore, duke thënë se është vendosur sipas vendimit të OSHP-së.
“Lënda është rivlerësuar sipas vendimit të OSHP-së. Një operator ekonomik ka bërë sërish ankesë në OSHP (26.06.2025). Pra, lënda është pezulluar nga autoriteti kontraktues deri në vendimin e radhës nga OSHP-ja”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Në OSHP nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet që KOHA i ka adresuar për këtë rast.
E në kompaninë ankuese thanë se nuk presin vendim meritor nga “Gjykata e Tenderëve”.
“Është e qartë që e kemi një shkelje të vendimeve të veta. Nuk presim ta korrigjojnë vendimin e gabuar, pasi ne shqiptarët njihemi si kokëfortë edhe kur e kuptojmë se si është e drejtë. Nëse do të ankohemi në gjykatë, ende nuk e kemi vendosur”, thuhet në përgjigjen e “ARITECH”.
Ndërkaq, në grupin e kompanive që e fituan tenderin thanë se kontratën e kanë marrë në mënyrë të ligjshme dhe nuk presin që OSHP-ja ta kthejë rastin në rivlerësim.
“Ankesa është një e drejtë ligjore e çdo operatori ekonomik, por në këtë rast besojmë se ajo nuk qëndron. Kemi bindjen se vendimi i OSHP-së do të jetë në favorin tonë, bazuar në përmbushjen e plotë të kritereve ligjore dhe teknike nga ana jonë”, thuhet në përgjigjen e “Egs & Pattern”.
Furnizimi i Kuvendit me laptopë për herë të fundit është bërë në vitin 2020.