Arbëri

90 mijë euro për 120 laptopët e Kuvendit

Kontratë në vlerë prej 90 mijë eurosh i ka dhënë Kuvendi një grupi operatorësh për furnizimin me laptopë për deputetët të legjislaturës së re, për komisione parlamentare, administratë dhe për nevoja të tjera të këtij institucioni. Tenderi, këtyre kompanive iu dha pas kthimit të procesit në rivlerësim. OSHP-ja pati konstatuar se herën e parë Kuvendi iu dha kontratë kompanive pa i plotësuar kriteret, por megjithëkëtë e dha mundësinë që ato t’i plotësojnë gjatë rivlerësimit

Kuvendi i Kosovës i dha kontratë në vlerë prej 90 mijë eurosh, grupit të bizneseve EGS e Pattern, për furnizim të deputetëve të legjislaturës së re me 120 laptopë.

Tenderin, ky grupi i operatorëve, e fitoi të hënën, pas kthimit të aktivitetit të prokurimit në rivlerësim nga Gjykata e Tenderëve.

Në Organin Shqyrtues të Prokurimit patën konstatuar se Kuvendi i dha kontratë këtij grupi biznesesh pa i plotësuar kriteret, respektivisht pa i treguar as brendin dhe as performancën e laptopëve me të cilin do të ofertonin.

Bazuar në nenin 10 të Udhëzuesit për Prokurim Publik, oferta e dorëzuar pa bashkëngjitur specifikacion teknik të detajuar, duhet të refuzohet pa kërkuar sqarime shtesë.

Megjithëkëtë, OSHP-ja i kërkoi Kuvendit që gjatë rivlerësimit, ta aplikojë nenin 72 të Ligjit për Prokurimin Publik, për të kërkuar sqarime shtesë nga grupi i njëjtë i operatorëve se për çfarë produkti kanë ofertuar.

“Autoriteti kontraktues mund të ftojë operatorët ekonomikë për të plotësuar apo të qartësojë certifikatat dhe dokumentet e paraqitura në pajtim me nenet 65-71 të këtij ligji”, thuhet në nenin 72 të LPP-së.

Në raste të njëjta, kur operatorët nuk e plotësuan dokumentin me specifikimet teknike për modelin e ofertuar, OSHP-ja i pati vlerësuar si të papërgjegjshme ofertat dhe i ka kthyer në rivlerësim dhe pa kërkuar sqarime shtesë, tenderët në Gjakovë, Suharekë e Skenderaj.

KOHA adresoi pyetje gjatë javës te grupi i bizneseve fituese të tenderit, porse që atëherë nuk ka marrë përgjigje.

E, në Kuvend, si autoritet kontraktues, thanë se kanë marrë sqarime nga operatorët ekonomikë se laptopët e rinj do të jenë të brendit “Lenovo”.

“Kuvendi, duke u bazuar në vendimin e OSHP-së, lëndën e ka kthyer në rivlerësim, me ç’rast nga operatori ekonomik, me letër standarde për sqarime të tenderit përmes E-Prokurimit, ka kërkuar të deklarojë se me cilin lloj të laptopëve merr pjesë në tender, duke i bashkëngjitur specifikat. Operatori ekonomik është përgjigjur brenda afateve kohore dhe ka deklaruar se brendi me të cilin merr pjesë në tender është: Lenovo”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Jo të gjithë laptopët e rinj do të jenë në shfrytëzimin e deputetëve të rinj, pasi disa do të përdoren edhe nga ata të legjislaturës së kaluar.

“Deputetët e rizgjedhur i mbajnë të njëjtit laptopë edhe në legjislaturën aktuale, përveç rasteve kur laptopët mund të jenë jofunksionalë (me defekt ose të amortizuar, për shkak të përdorimit disavjeçar). Në raste të tilla zëvendësohen me laptopë të rinj. Laptopët e kthyer, të cilët janë në gjendje të mirë teknike, mund t’u jepen deputetëve të rinj”, ka bërë të ditur Kuvendi.

Aktualisht, 51 deputetë të legjislaturës së shkuar i kanë kthyer laptopët, e 6 prej tyre janë të amortizuar.

“47 nga deputetët e rizgjedhur aktualisht i mbajnë të njëjtit laptopë, ndërsa 22 deputetë të legjislaturës VIII nuk kanë marrë laptopë”.

Në Kuvend thanë se 120 laptopët, që do të blihen me procedurën tenderuese do të përdoren edhe për punë të komisioneve parlamentare, të administratës dhe për nevoja të tjera të Kuvendit.

Në këtë institucion thanë se furnizimi me laptopë për herë të fundit është bërë në vitet 2019-2020.